Interi e ka mbyllur akordin për rinovimin e kontratës së Denzel Dumfries. Bisedimet mes zikaltërve dhe mbrojtësit holandez kanë mbërritur te “tymi i bardhë”. Ish-lojtari i PSV-së do të nënshkruajë së shpejti zgjatjen e bashkëpunimit me kampionët italianë deri në vitin 2028. Në kontratën aktuale të anësorit të djathtë, e cila skadon pas një viti, nuk ka asnjë klauzolë ndërprerjeje të saj.
Dumfries do të vazhdojë të fitojë 4 milionë euro neto në sezon, por do të peshojë “vetëm” 5.2 milionë euro bruto në buxhet, sepse do të vazhdojë të përfitojë nga “Dekreti i Rritjes”, ashtu siç pritej për lojtarët që kishin përfituar prej këtij rregulli. Holandezi, 28 vjeç, mbërriti në vitin 2021 te zikaltrit nga PSV Eindhoven.