Kompany-Xabi Alonso, “delfinët” e Guardiolës në duelin e madh të Bundesligës

28 Shtator 2024
12:59
Alfred Lleshi
back button

Ato ishin shtylla për Pep Guardiolën, njëri te Manchester City (Vincent Kompany) dhe tjetri te Bayern Munich (Xabi Alonso) në nivel lojtarësh. Këtë të shtunë do të përballen si trajnerë në atë që aktualisht është dueli i madh i futbollit gjerman, Bayern Munich-Bayer Leverkusen. Kryesuesi aktual i Bundesligës (dhe kampioni i rrëzuar) kundër të dytit (kampionit aktual, që i dha fund një hegjemonie 11-vjeçare të skuadrës së Mynihut).

Në “Allianz-Arena”, ai që ishte kapiteni i madh i Guardiolës te Manchester City, Kompany, dhe ai që u bë një nga personifikimet e Pep (trajnerit në fushë) te Bayern Munich, Alonso, do të jenë ballë për ballë. Kjo është hera e parë që përballen si trajnerë. Ata e bënë këtë 7 herë si lojtarë.

Kompany ka pasur një fillim të shkëlqyer në stolin e gjigantëve bavarezë. Plot fitore në Bundesligë, 4 në 4 ndeshje. Gjithsej 16 gola të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar. Bayern Munich është lideri aktual i kampionatit gjerman me 3 pikë më shumë se Leverkusen, i cili ka 3 fitore dhe një humbje (kundër Leipzig, 3-2). Skuadra e Xabi Alonso ka shënuar 13 gola dhe ka pësuar 9 të tillë.

Kur mori detyrën në stolin bavarez, Kompany pranoi se Guardiola ndikoi shumë tek ai si lojtar, por si trajner tha se dëshironte të jetë vetvetja, të zhvillojë karrierën e tij.

Si lojtarë, Kompany dhe Alonso janë përballur në 7 raste, mes klubeve dhe kombëtareve. Xabi Alonso fitoi 5 herë, Vincent Kompany fitoi vetëm një ndeshje dhe mori një barazim. Sa iu përket përballjeve të tij në nivel klubesh, Kompany mbante gjithmonë të njëjtën fanellë, atë të Manchester City. Nga ana tjetër, Xabi Alonso u përball me trajnerin aktual të Bayern Munich si lojtar me fanellën e Liverpool-it, Real Madridit dhe skuadrës së Mynihut.

Kështu, ata u përballën vetëm një herë në Premier League, në sezonin 2008-2009. “Qytetarët” e Kompany, me trajner Mark Hughes, u mundën 3-2 ndaj Liverpool-it të Rafa Benítezt dhe Xabi Alonso. Takimet e tjera në nivel klubesh ishin në Ligën e Kampionëve: Alonso e mundi City e Kompany me Real Madridin në sezonin 2012-2013 (3-2), teksa pati barazim (1-1) në “Etihad”.

Më në fund, si lojtar i Bayernit, Xabi Alonso, nën drejtimin e Guardiolës, në Ligën e Kampionëve 2014-2015, e mundi City e Kompany 1-0 dhe humbi në kthim 3-2 (basku shënoi golin e parë të skuadrës së Mynihut). Në nivelin e ekipit kombëtar, Spanja mundi Belgjikën 2-0 në fazën kualifikuese për Kupën e Botës 2006 dhe gjithashtu 2-1 në kualifikueset e Kupës së Botës 2010.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit