Te Bayern Munich të gjithë janë në ankth për gjendjen e sulmuesit anglez Harry Kane. Ai pati një problem të vogël fizik në barazimin 1-1 me Bayer Leverkusen të shtunën e kaluar në “Allianz Arena”, në ndeshjen e javës së gjashtë të Bundesligës.
Sulmuesi ishte protagonist dy javë më parë në fitoren 9-2 ndaj Dinamo Zagreb në Champions League, por rrezikon të mos jetë në fushë këtë mesjavë. Të mërkurën, bavarezët do të përballen me Aston Villa, ndeshje që do të luhet në Angli.
Vetë klubi i Bayern Munich dha një diagnozë fillestare të dëmtimit të anglezit. “Harry Kane pësoi një goditje të dhimbshme në kyçin e këmbës gjatë ndeshjes së Bundesligës së Bayernit, në shtëpi kundër Bayer Leverkusen, të shtunën e kaluar”, thuhet në deklaratë.
“Testet e kryera të dielën nga departamenti mjekësor i Bayern treguan një evolucion pozitiv. Kane do të vazhdojë të marrë trajtimin e duhur për të rikuperuar sa më shpejt”, konfirmon klubi, çka lë në dyshim praninë e tij në fushë këtë mesjavë.