Zhbllokimi i Lautaros lumturon Interin, por mbrojtja zikaltër “fut shumë ujë”…

30 Shtator 2024
10:35
Alfred Lleshi
back button

Interi fitoi në Udine dhe la pas “plagët” e derbit të humbur një javë më parë. Misioni i shpagimit të shpejtë u arrit plotësisht, por Inzaghi kthehet nga stadiumi “Bluenergy” me dritë-hije. Lajmi më pozitiv, ai që tifozët dhe mjedisi kanë pritur prej pak kohësh, është rikthimi i Lautaro Martinez te goli. “Toro” ka shënuar një dygolësh vendimtar dhe më në fund është çliruar, pas një fillimi të vështirë, veçanërisht për shkak të mungesës së finalizimit.

Megjithatë, ai që vazhdon me performanca të nivelit të lartë është Dimarco. Krosimet dhe inkursionet interesante vijnë gjithmonë nga ana e tij, por edhe në fazën e mbulimit, mbrojtësi i krahut bëri pjesën e tij kur, para golit të barazimit, mbyti britmat e gëzimit të Lovric me një ndërhyrje që pothuajse vlente golin.

Shenja të vogla rritjeje edhe nga Mkhitaryan, shumë besnik ndaj Inzaghit, por ende larg standardeve të sezonit të yllit të dytë. Frattesi, megjithatë, ishte edhe një herë “vdekjeprurës” në futjet e tij dhe nuk lejoi të ndihej mungesa e Barella. 40 sekonda mjaftuan që ish-lojtari i Sassuolo të bëhej sërish “vdekjeprurës”, si sezonin e kaluar.

Në Udine, zikaltrit krijuan shumë raste shënimi, të cilat duhej të ishin shfrytëzuar me cinizëm më të madh, siç nënvizoi Inzaghi në fund të ndeshjes. Sidomos në një moment si ky, ku qëndrueshmëria mbrojtëse e sezonit të kaluar është vetëm një kujtim i largët. Dhe këtu gjërat nuk shkojnë siç duhet.

Me dy golat e shënuar nga Kabasele dhe Lucca, kampionët italianë kanë pësuar tashmë 7 gola në vetëm 6 javë (ndeshje) kampionati. Gjithsej në sezonin e yllit të dytë ishin pësuar 22 gola dhe është e qartë se diçka nuk shkon në këtë drejtim. Lojtarët e aktivizuar dhe alternuar në këtë repart trajneri Inzaghi janë të njëjtë me ata të marshimit triumphal (sezonine kaluar), shenjë se bëhet fjalë më shumë për vëmendje dhe gabime individuale.

Nga 7 golat e pësuar, tre kanë ardhur nga goditjet me kokë (Vogliacco, Gabbia dhe Kabasele), ndërsa katër në minutat e fundit. Në krahasim me sezonin e kaluar, Calhanoglu dhe shokët e tij të skuadrës luftojnë për të menaxhuar lojën dhe kur ulin ritmin, kundërshtarët përfitojnë.

Nëse një javë më parë ishte Frattesi, ai që lejoi Gabbia të realizonte në minutën e fundit, kësaj here Bisseck nuk la përshtypje të mirë, pasi u befasua nga përfshirja e Kabasele. Mbrojtësi gjerman po rritet, por duhet të eliminojë naivitetin. Në Genoa, “hendbolli” i tij në kohën shtesë kushtoi dy pikë, ndërsa kapiteni Lautaro bëri diferencën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit