Benitez: Milani mund të befasojë në Champions, derbi për Interin ishte thjesht aksident

1 Tetor 2024
8:51
Alfred Lleshi
back button

Ish-trajneri, ndër të tjera, i Napolit dhe Interit në Itali, Rafa Benitez, ka folur për “Gazzetta dello Sport”. Ky është mendimi i tij për skuadrat italiane në Champions League, duke filluar me Milanin: “Kundër Liverpool-it luajti keq, por u rikuperua menjëherë, në një mënyrë thuajse të padyshuar, në derbin me Interin. Nuk ishte e lehtë për ta bërë këtë, duke pasur parasysh klimën, por Milani reagoi, fitoi derbin dhe ndaj Lecce. Karakteri është gjë e madhe në futboll. Leverkusen? Po kalon një moment të mrekullueshëm, që ka zgjatur prej vitesh. Triumfoi sezonin e kaluar në Bundesligë, tani sapo ka barazuar 1-1 ndaj Bayern Munich në “Allianz Arena”, pati një fillim të fortë në Ligën e Kampionëve. Duhet duartrokitur për vazhdimësinë që po tregon”.

Çfarë ju befasoi nga Interi?
Niveli ndërkombëtar, i theksuar në barazimin me Manchester City. Rrezikoi të lëkundej me humbjen në derbi, por Inzaghi i vendosi gjërat në rregull. Fitoi në Udine, e gjeti sërish golin Lautaro Martínez. Këtë herë ndaj Crvena Zvezda duhet ta marrë plotësisht kontrollin e lojës. Asnjë ndeshje, qoftë edhe ajo që mund të rezultojë të jetë më pak e komplikuar, nuk mund të përballet me angazhim sipërfaqësor. Interi e di mirë këtë, nuk do të bie në grackë, përkundrazi do të përpiqet të konfirmojë se humbja ndaj Milanit ishte thjesht aksident”.

Juventusi nuk shpërqendrohet kurrë…
Ata kanë qëndrueshmëri në mbrojtje, thuajse nuk pësojnë asnjëherë. E nisën Champions-in me tre golat ndaj PSV-së, pothuajse me lehtësi, dhe të shtunën shijuan përsëri Vlahovic. Disa prurje të merkatos së verës nuk kanë shpërthyer ende, por është ndërmarrë një rrugë e re, që duhet zhvilluar. Thiago Motta ka ide dhe më duket se e kontrollon situatën. Leipzig është një test tjetër, nga i cili mund të marrë indikacione për të ardhmen. Nëse Juventusi e fiton këtë ndeshje, do ta rrisë vetëvlerësimin dhe pikët në renditje”.

Bologna i shton prestigj historisë së saj…
Të luash në “Anfield” është magjepsëse, sepse ai stadium jep ndjesi pothuajse të papërsëritshme. Cilësia e Liverpool-it nuk është për t’u zbuluar, tregohet nga emrat dhe gjendja e lojtarëve, të cilët tani dominojnë Premier League. Janë ndeshje të tilla, që një lojtar shpreson t’i përjetojë. Bologna po korr frytet e një pune të mrekullueshme.

A ju pëlqen Atalanta?
Shumë. Është një ekip që përfaqëson plotësisht trajnerin e vet. Në Serie A ende nuk është vetvetja, por barazimi 0-0 me Arsenalin ka vlerën e vet. Liga e Kampionëve të jep energji dhe motivim të fortë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit