Inzaghi: Fitore e madhe. Paraqitje e shkëlqyer e të gjithë lojtarëve, por sidomos nga Taremi

2 Tetor 2024
9:04
Alfred Lleshi
back button

Simone Inzaghi, duke folur në zonën mikse pas suksesit të arritur ndaj Crvena Zvezda, çka e çon shifrën e zikaltërve në 4 pikë (pas dy ndeshjeve) në Champions League, tha: “Janë dy ndeshje të shkëlqyera. Edhe në Udine luajtëm një ndeshje të mirë, ndonëse me disa të meta. Këtu kishim gjithçka për të humbur, sepse duhej të vazhdonim paraqitjen pozotive në Manchester. U përballëm me një skuadër që mbrohej ulët. Luajtëm mirë, ditëm ta qarkullonim topin duke mos rrezikuar pothuajse asgjë. I përgëzova djemtë për këtë paraqitje bindëse”.

Taremi e prishi “agjërimin” e golit dhe ishte më i miri në fushë. Pothuajse një startues i përsëritur?
Lajm i shkëlqyeshëm nga ai, por jo vetëm nga ai. Unë futa në fushë djem që kishin luajtur më pak, por nuk kisha asnjë dyshim për ta. Arnautovic ishte gjithashtu i mirë, ashtu si edhe lojtarët që hynë gjatë lojës.

Marotta kujtoi se Interi është palë e dëmtuar në këtë aferë (të ultrasve), ndaj po e izolon skuadrën në nivel psikologjik…
Presidenti Marotta foli për këtë para ndeshjes, ne bëmë një paraqitje të shkëlqyer. Skuadra u paraqit mirë në fushë, e dinim që do të gjenim një kundërshtar që do të mbrohej me shumë forca. Bëmë mirë që qëndruam të qetë, sepse kur mbërriti goli i dytë gjithçka ishte më e thjeshtë.

Të gjithë sulmuesit në fushë shënuan. Gola të shumtë e të dobishëm për golaverazhin pozitiv, rotacion që funksionoi. Cila ishte gjëja më e mirë në këtë ndeshje?
Përgjigja e skuadrës, të gjithë prisnin fitoren ndaj Crvena Zvezdës, por nuk ishte diçka e mirëqenë. Këto janë ndeshje të pabesa, duhej t’i jepnim vazhdimësi paraqitjes sonë të mirë në Manchester. Është një rrugëtim i gjatë, plot me vështirësi.

Grimasa e fundit e Lautaros…
E pashë në minutat e fundit që po prekte kofshën, më tha se nuk duhet të ketë asnjë problem.

A bënë të njëjtat lëvizje Taremi dhe Arnautovic në pjesën e parë?
Të mos harrojmë se ishte hera e parë që luanin bashkë, më kishin bindur gjithë këto ditë. Janë dy lojtarë të fortë, të rëndësishëm për Interin, që luajtën një ndeshje të shkëlqyer. Jam i lumtur për ta, sepse kishin luajtur më pak. Lajm i shkëlqyer, duhet të vazhdojmë kështu. Jemi të kënaqur.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit