Takimi mes ultrasve të Interit dhe Skriniar: Klubi e kishin shitur tashmë, po të mos kishte qenë për Bremer…

3 Tetor 2024
10:40
Alfred Lleshi
back button

“Tuttosport” fokusohet në hetimet e vazhdueshme që kanë si epiqendër ultrasit e Interit dhe Milanit, në kërkim të veprimeve të dyshuara të paligjshme, që hetuesit kanë hasur në forma të ndryshme. Gazeta torineze publikon një prej episodeve në qendër të hetimit, atë të takimit mes drejtuesve të “Curva Nord” dhe ish-mbrojtësit të Interit, Milan Skriniar.

Ishte fillimi i vitit 2023 dhe sllovaku po hynte në muajt e fundit të kontratës me Interin. Më 24 janar, për shembull, u përgjua një bisedë midis Mauro Nepi, Marco Ferdico dhe Massimiliano Silva (oficer ndërlidhës i fansave të Interit), në të cilën ky i fundit u informua se të dy do të mbërrinin në ‘Pinetina’ për një takim me Skriniar.

Megjithatë, ajo që i ndaloi ishte refuzimi i Beppe Marotta, i shprehur nga Silva: “Klubi më tha që më mirë të mos vish, në kuptimin e ardhjes në ‘Appiano’, edhe sepse ka kamera dhe gjëra të ndryshme. Unë thashë se do të ishte më mirë të takoheshim në një vend tjetër, kështu më tha edhe klubi. Kur përmend klubin, dua të them drejtori”.

Përballë kësaj, Ferdico i përgjigjet: “Mirë, ndjekim udhëzimet e drejtorit, ki respekt”. Më pas angazhohet që takimin me futbollistin sllovak ta realizonte në një vend larg kamerave. Në të njëjtën ditë, Nepi i dërgoi një mesazh zanor Simone Inzaghit, duke i kërkuar takim dhe informuar se nuk do të shkonin në ‘Appiano Gentile’ me rekomandimin e vetë Interit.

Pasdite, Nepi dhe Ferdico janë takuar me Skriniar në lokalin ‘Tenconi’, pranë stadiumit ‘San Siro’, vend që do ta kishte zgjedhur vetë lojtari. Dhe përmes një telefonate nga Ferdico me një person tjetër, njëfarë ‘Ale’, do të mësonim edhe rezultatin e takimit në lokal:

“Sapo fola personalisht me Skriniar… Ai po çmendet, nuk i kanë ofruar rinovim. Drejtuesit e klubit kishin vendosur ta shisnin. Në fakt nuk e shitën sepse nuk erdhi Bremer (…) Ai tha se nuk ia mbylli derën Interit, por drejtuesit e klubit e trajtuan keq. Në fund të fundit flitet për para…”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit