“Interi është ekipi më i kompletuar në Serie A, por jo aq i fortë sa sezonin e kaluar”

16 Tetor 2024
14:22
Alfred Lleshi
back button

Gjatë intervistës së dhënë për “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello u ndal tek Interi dhe grupi i plotë i skuadrës zikaltër: “A është Interi, ekipi më i kompletuar me lojtarë në Serie A? Sigurisht. Megjithatë, Inzaghi do të duhet të jetë i mirë në përdorimin e rotacionit.

Në këtë aspekt nevojitet shumë inteligjencë. Më shumë se çdo gjë, zikaltrit kanë qenë paksa sipërfaqësorë në këtë fillim sezoni. Nëse nuk rikthehen në ekipin e sezonit të kaluar, rrezikojnë të lënë pikë rrugës me kalendarin më të ngjeshur ndonjëherë”.

Më tej analizoi skuadra dhe përballje të tjera: “Juve-Lazio dhe Roma-Inter? Dy sfida të rëndësishme, veçanërisht për skuadrat romake. Një test i mirë për Lazion, pas muajve të parë shumë pozitivë. Bardhekaltrit luajnë mirë, të shohësh dikë si Pedro duke u argëtuar është shenjë pozitive.

Trajneri Baroni ka krijuar një grup të bashkuar, edhe nëse skuadra e tij nuk është aq e kompletuar sa ajo e rivalëve të tjerë të mëdhenj. Për Romën, ndeshja kundër Interit është shumë delikate. Humbja do të kishte pasoja jo vetëm në renditje, por mbi të gjitha në aspektin e polemikave, që mendoj se tashmë janë shumë pas shkarkimit të De Rossit”.

Disa fjalë edhe për fituesit në fuqi të “Europa League”: “A nuk e nisi shumë mirë Atalanta? Gasperini e fillon ngadalë dhe më pas përshpejtohet. Nuk kam dyshim se do ta bëjë edhe këtë herë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit