Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, mendon se homologu i tij në Shqipëri, Armand Duka, e ka shumë të thjeshtë të krijojë një skuadër, sepse merr yje nga Kosova.
“Kosova ka shumë futbollistë. Në Kosovë kemi rreth 200 emra në listë. Duka e ka të lehtë, sepse është mësuar të marrë lojtarë nga Kosova, ndërsa unë nuk kam marrë asnjë futbollist nga Shqipëria”, është shprehur Ademi për emisionin “Sport News” në Ora News.
“Shqipëria ishte mirë në Kampionatin Europian. Sylvinho ka bërë një punë të mirë. Besoj se ne dhe Shqipëria do t’i arrijnë objektivat. Nuk kemi asnjë problem në marrëdhëniet tona. Udhëtimet i bëjmë bashkë”.
I pyetur për organizimin e Kampionatit Europian U21 me Serbinë, Ademi ka dhënë këtë përgjigje: “Ne vetë nuk bënim dot gjë, sepse nuk i plotësojmë kushtet. Fatkeqësisht qëlloi Serbia, duke ditur raportet tona me ta. Unë e di që shqiptarët e Kosovës janë të zemëruar, por ky ishte vendimi i tyre. Vazhdojmë”.
“Në Kosovë pothuajse çdo familje ka dikë që i është vrarë në luftë ose i është zhdukur. Ende nuk ka një kërkim faljeje nga Serbia. Gjithsesi, në UEFA apo FIFA nuk ka politikë”.