Duke folur në një konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes së madhe me Interin, e konsideruar ndryshe derbi italian, Thiago Motta u shpreh mes të tjerash: “Juventusi duhet ta luajë ndeshjen si gjithmonë, me stilin e vet”.
Sa dëshirë ka për t’u rikthyer menjëherë në fushë?
Ekziston gjithmonë dëshira për të shkuar në fushë në të njëjtën mënyrë. Jemi të fokusuar dhe të vendosur për atë që dimë të bëjmë.
Si mundet të fitojë Juve?
Juventusi duhet të luajë ndeshjen e vet, si gjithmonë. Çdo ndeshje ka historinë e vet, duhet ta orientojmë lojën në anën tonë. Interi dhe Napoli janë favoritët për titullin e këtij kampionati. Ne duhet të jemi konkretë dhe t’i rrisim shanset për sukses.
A është ngushtuar diferenca me Interin?
Unë nuk mendoj kështu, faktet e thonë këtë. Është objektive të thuhet se favoritët për titull janë Napoli dhe Interi. Nesër duhet të përballemi me Interin me përqendrim dhe guxim.
Në çfarë aspekti keni punuar pas humbjes ndaj Shtutgartit?
Nuk ka nevojë të punohet me kokat e lojtarëve, sepse janë mire psikologjikisht. Me të drejtë, në një ekip historik si i yni, kërkesat janë shumë të larta, ndaj na dhembi shumë humbja e parë e këtij sezoni. Gjithsesi, nuk ka kohë për t’u ankuar. E lëmë pas të kaluarën, tani po mendojmë vetëm për transfertën ndaj Interit.
A i duhet Vlahovicit një lojtar si Yildiz pas vetes?
Ne kemi shënuar në shumë mënyra. Se si do të luajmë në sulm, do të shohim nesër.
A jeni të shqetësuar për humbjen ndaj Shtutgartit?
Shtutgarti mbetet në të kaluarën. Ne jemi të bindur për lojën tonë, për idenë tonë. Tani mendojmë vetëm për Interin, një përballje e madhe për t’u luajtur dhe përjetuar. Si gjithmonë do të japim maksimumin.
Pse nuk ka ndikim e kaluara juaj tek Interi?
Kam luajtur për Interin, Barcelonën, Atletico Madridin, Genoa dhe PSG-në, ku jo vetëm në nivel sportiv, por edhe njerëzor jam përpjekur të bëj gjërat e duhura, pa pasur asgjë për të fshehur. Kam qenë gjithmonë vetbetja, në të mirë apo në të keq, ashtu siç jam tani. Jam sjellë gjithmonë mirë me njerëzit, kudo që shkoj si ish më trajtojnë mirë. Kjo ndodh kur njeriu sillet në mënyrën e duhur.
Si po e përjetoni ndeshjen?
Unë e jetoj shumë mirë, sepse e konsideroj si ndeshjen e radhës. Si gjithmonë, ne hyjmë në fushë të karikuar 200%. Nuk ka ndeshje që të mos dalim në fushë në këtë mënyrë. Ju mund të fitoni dhe mund të humbni, por duke u përpjekur të merrni rezultatin më të mirë, duke punuar shumë për të arritur sa më mirë në kësi ndeshjesh.
A keni përgatitur diçka për të bllokuar krahun e majtë të Interit?
Do ta shihni nesër. Nuk është vetëm Di Marco, por edhe Bastoni e Mkhitaryan që sulmojnë shumë. Fasha anësore e Interit është e rëndësishme, me lojtarë të fortë. Nuk do të jetë ndeshje e dueleve 1 kundër 1, por përballje kolektive. Na duhet një paraqitje e shkëlqyer për ta marrë fitoren në shtëpi.
A mund të luajë Perin?
Po, të gjithë mund të luajnë nesër. Të gjithë janë mirë.
A ka ndonjë lajm për të dëmtuarit?
“Jo, për nesër nuk do të rikuperojmë dot askënd. Të gjithë ata që ishin gati në Champions League mund të luajnë nesër.
A ka kjo sfidë një peshë tjetër?
Jo, është ndeshja e radhës në kalendar dhe duhet përballur si gjithmonë. Pas kësaj ndeshje do të luhen edhe shumë të tjera.
Ku mund ta çojë Interi ndeshjen nga këndvështrimi i lojës?
Është një ekip që luan futboll shumë të mirë, i cili ka vënë në vështirësi shumë rivalë në kundërsulm. Është një ekip shumë i rrezikshëm, që di të rigrupohet. Zikaltrit kanë fazë të mirë mbrojtëse në rikuperim, dalin shumë shpejt përpara, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm.
Juve ka vetëm një sulmues, ndërsa Interi ka 5 të tillë. Mbi çfarë bazash do të luhet nesër sfida?
Nëse mendoni kështu, e respektoj mendimin tuaj. Nesër do të përballen dy skuadra të mëdha, me lojtarë të mëdhenj, kolektivisht. Duhet të kemi qasje të shkëlqyer mbrojtëse dhe sulmi. Të bëjmë kujdes në tranzicione dhe luajmë shumë mirë. Do të jetë një moment shumë i rëndësishëm, do të përballemi me një ekip që vë në vështirësi cilindo.