Inzaghi kundërshton “flakë për flakë” Motta-n: Jo vetëm Interi dhe Napoli, disa ekipe rivalizojnë për titull

26 Tetor 2024
13:38
Alfred Lleshi
back button

Duke folur në një konferencë për shtyp në prag të derbit italian, trajneri Simone Inzaghi iu përgjigj gjithashtu deklaratës së Thiago Motta se Interi dhe Napoli janë favoritë për titullin.

Inter-Juventus është gjithmonë një ndeshje e ndjerë për tifozët, sa rëndësi ka për ju?
Të gjithë e dimë rëndësinë e ndeshjes, çfarë do të thotë për klubin tonë, për tifozët tanë, për veten tonë. Është e nënta e kampionatit dhe sigurisht që nuk do të jetë vendimtare, por do të jetë e rëndësishme. Përballen dy skuadra të shkëlqyera, që kanë praktikisht të njëjtin rrugëtim në kampionat.

Si është Interi, edhe në planin fizik?
Ne jemi duke bërë mirë, me një seri prej pesë fitoresh radhazi. Fatkeqësisht kemi pasur disa probleme, të cilat do të na kufizojnë në këto ndeshje, deri në pushimin e nëntorit. Lojtarët janë gati, nesër do të përpiqem të hedh formacionin më të mirë të mundshëm në fushë.

Interi dhe Napoli janë favoritë për titullin, sipas Motta…
Unë mendoj se do të jenë shumë skuadra në garë. Disa klube kanë investuar shumë gjatë verës dhe e kanë mbyllur hendekun me ne, pastaj titulli do të varet nga shumë gjëra. Ky do të jetë një kampionat i balancuar.

Cili do të luajë në rolin e “regjisorit” dhe sa mund të kontribuojë nesër?
Ne e dimë se çfarë përfaqëson Calhanoglu për Interin, është një top-lojtar botëror. Zëvendësuesi i tij natyral është Asllani, nëse ai më jep garancitë e duhura do të luajë. Kristjan është përmirësuar shumë me kalimin e viteve, ka përfituar shumë nga stërvitja përkrah Hakan. Për fat të keq ai ka pasur një problem para Romës. Dje ka bërë stërvitjen e tij të parë, nuk shkoi keq. Duhet të pres edhe situatën e Barella me Zielinski, ky dyshim do të mbetet për mua deri nesër në mbrëmje.

Cili është hapi tjetër i rritjes për Interin?
Epo, pas një titulli kampion dhe një finaleje të Ligës së Kampionëve dikush mund të mendojë të ndalet, por në vend të kësaj dua të vazhdoj të përmirësohem me ekipin tim. Futbolli zhvillohet, skuadrat bëhen gjithnjë e më të organizuara, prandaj ne duhet të bëjmë gjithmonë më mirë. Të gjitha ndeshjet bëhen të vështira, duhet të përmirësohemi ditë pas dite.

Juventusi pëson pak, por edhe prodhon pak. A mund ta ndryshojë ky fakt qëndrimin tuaj?
Që kur kam qenë këtu, e kemi luajtur këtë ndeshje 10 herë dhe gjithmonë ka pasur bilanc të madh. Megjithatë, dy prej tyre përfunduan në kohën shtesë sepse ishin finale. Do të jetë një ndeshje shumë e ekuilibruar, edher pse Juventusi humbi ndeshjen e parë sezonale të enjten. Është më i miri në Europë për golat e pësuar, një ekip i shkëlqyer me trajner që më pëlqen shumë. Juventusi ka bërë investime të mëdha dhe do të jetë protagonist gjatë gjithë sezonit.

Sa ka ndryshuar Juventusi?
Ka ndryshuar parimet e tij, Allegri kishte të tijat dhe Motta të tjera. Me Allegrin ka pasur gjithmonë kampionate të ngushta dhe finale të ngushta. Ai është një trajner që e respektoj shumë, si Motta. Kundër Bologna kishim ndeshje shumë të vështira, tani drejton Juven dhe ka pasur ecuri të shkëlqyer, si në kampionat, edhe në Champions League.

Sezonin e kaluar, mposhtja e Juventusit në shtëpi ju çoi drejt titullit. Çfarë do të shtonte fitorja e nesërme?
Do të na jepte ndërgjegjësim të madh, por për mendimin tim ka dallime në krahasim me kampionatin e kaluar. Ishte ndeshje kthimi, po flasim për një situatë krejt tjetër. Tani jemi në javën e nëntë të kampionatit dhe e dimë se çfarë përfaqëson, do të duhet të luajmë një ndeshje të madhe.

Motta, ashtu si Conte, u fsheh për titullin…
Nuk e di nëse është strategji apo diçka tjetër, mund të flasin vetë. Ne i dimë nga fillimi i sezonit objektivat e qarta, duam të luajmë sa më shumë ndeshje për të siguruar sa më shumë trofe. Mendoj se janë 4-5 skuadra të akredituara si ne, kemi rivalë që kanë bërë investime të mëdha.

Me kaq shumë ndeshje për t’u luajtur dhe disa të padisponueshëm, kur nevojiten të gjithë, si është Zielinski?
Ai është duke punuar shumë mirë, po flasim për një lojtar që e kam dashur bashkë me klubin. Zielinski është një lojtar i kompletuar, fatkeqësisht ka pasur një problem në parasezon që e ngadalësoi pak. Në Bernë më pëlqeu mënyra se si hyri në lojë, me siguri do të na ndihmojë shumë.

Cila është ndeshja kundër Juventusit, që ju dha më shumë kënaqësi?
Unë mendoj për vitin e kaluar, sepse vinim nga triumfi i Superkupës. Juventusi na ishte afruar më shumë, nuk u dorëzua. Ata ishin kërcënim i madh për ne, fitorja në ‘San Siro’, para tifozëve tanë, ishte fantastike.

Ndeshja e nesërme e Thuramit, çfarë do të thotë të luash kundër vëllait?
Këto janë ndjesi që mbeten brenda, unë sfidova Pippo tetë herë si futbollist dhe disa më pak si trajner. Mendoj Juventus-Piacenza në “Delle Alpi”, ishte diçka emocionuese që do të mbetet. Marcus dhe Khephren tashmë janë përballur në Kupën e Ligës së Francës, por nesër do të jetë Inter-Juventus. Me siguri, kjo përballje do të mbetet me ta për gjithë jetën.

A është rikthyer Interi në nivelet e sezonit të kaluar?
Epo, pesë fitore radhazi na japin besim, por e dimë se mund të kishim bërë edhe më mirë. Ka pasur momente kur kemi vuajtur si ekip, e kemi ndihmuar njëri-tjetrin, por do të duhet të bëjmë edhe më mirë.

Motta vetëpërjashtohet nga gara e titullit, para supersfidës ndaj Interit: Nesër, si çdo ndeshje tjetër…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit