12 fitore dhe vetëm 2 humbje në 14 ndeshjet e këtij sezoni, vendi i parë në La Liga me +6 pikë ndaj Real Madridit, tashmë me 47 gola të shënuar dhe mesatarisht 2.57 pikë të grumbulluara për ndeshje. Kështu, Hansi Flick, në drejtimin e Barcelonës, e tjetërsoi skuadrën katalanase për mirë brenda pak muajsh, duke u shndërruar nga pasardhësi i diskutueshëm i Xavi Hernandez në liderin e ri Blaugrana.
Trajneri gjerman përdori të gjithë përvojën dhe karizmën e tij për “ta ringjallur” mendërisht ekipin, në radhë të parë Robert Lewandowski. Edhe numrat, me përjashtim të nokautit në debutimin e tij sezonal të Ligës së Kampionëve në Monaco (2-1) dhe 4-2 të papritur në kampionat në Osasuna, janë të gjitha në favor të tij.
Tri rezultatet e fundit i kanë mahnitur sportdashësit, veçanërisht ata katalanas: 5-1 kundër Sevilla, 4-1 kundër Bayern Munich në Champions League dhe mbi të gjitha “pokeri” ndaj Real Madridit në “Bernabeu”, në “El Clasico” e parë të këtij sezoni. Kjo Barça është “makinë” golash, që duket se nuk ka ndërmend të ndalojë.
Sulmuesi Lewandowski tashmë ka shënuar 17 gola, Raphinha nuk ka qenë kurrë kaq vendimtar, sepse ka shënuar tashmë 10 gola, ndërsa Yamal (shumë i ri) vazhdon të rritet në mënyrë mbresëlënëse (përveç 6 golave të shënuar në këtë sezon, ka aq shumë cilësi në paraqitjet e tij). Të gjithë kësaj panorame duhet t’i shtojmë një qëndrueshmëri të re mbrojtëse, e cila në këtë moment të sezonit sheh vetëm 13 gola të pësuar, në të gjitha garat.
Historia e dashurisë mes Flick dhe Barcelonës filloi jo mirë, por shumë mirë. Lutja blaugrana është që idili të vazhdojë, por kthimi i Gavi nga dëmtimi i gjatë, përfshirja progresive e Dani Olmo dhe rritja e Pedrit, i cili më në fund po rikthehet në nivelet e tij maksimale, sigurisht që japin shpresë. Barça është rikthyer e frikshme dhe shumë nga meritat i shkojnë 59-vjeçarit nga Heidelberg.