“Manchester United ka shprehur interesimin e tij për të punësuar trajnerin Ruben Amorim dhe ka thënë se është i gatshëm të paguajë dhjetë milionë eurot e parashikuara nga klauzola”. Me këtë komunikatë të publikuar nga Komisioni Portugez i Tregut të Letrave me Vlerë, Sporting njoftoi zyrtarisht negociatat për transferimin e trajnerit portugez në Angli.
39-vjeçari nga Lisbona do të zëvendësojë Erik ten Hag në stolin e Djajve të Kuq, me shumë gjasa që të debutojë të dielën në ndeshjen e Premierligës kundër Chelseat. Një zgjedhje që legjenda Peter Schmeichel e miraton: “Amorim është një kandidat i shkëlqyer për Manchester United, jam i bindur për këtë.
Ai do të largohet nga Sporting tani sepse po flasim për Manchester United, nëse do të qëndronte nuk do të ishte më njeriu i duhur. Kjo çështje duhet të zgjidhet tani. Nuk mund të përballojmë një periudhë tjetër me një menaxher të përkohshëm, nuk mund të rrimë duarkryq dhe të vazhdojmë të shikojmë se çfarë ndodh”, tha ish-portieri danez për BBC Sports, duke përfunduar: “Duhet të vijë tani, jo në verë”.