Trajneri portugez Ruben Amorim pritet të zyrtarizohet orët në vijim në krye të Manchester United. 39-vjeçari, që aktualisht drejton Sporting Lisbona në vendlindje, pritet të sjellë me vete edhe sulmuesin Viktor Gyokeres.
Natyrisht që kjo lëvizje pritet të kryhet verën e ardhshme, pasi ka pak gjasa që marrëveshja të finalizohet në janar. Amorim ishte ai që solli sulmuesin suedez te skuadra e tij në korrik 2023, ndaj ai është gati ta ndjekë edhe në Premier League.
Sulmuesi 26-vjeçar ka luajtur edhe më parë në Angli, me disa skuadra në Championship, por tani do të luante në Premier League. Në fanellën e Sporting ai ka shënuar 59 gola në 65 ndeshje zyrtare.
Sipas “Sky Sports”, lojtari ka një klauzolë lirimi prej 100 milionë eurosh, por sulmuesit i është thënë se mund të largohet nga klubi verën e ardhshme për një tarifë prej 60-70 milionë eurosh.
Problem për United është se për 26-vjeçarin janë të interesuar edhe Manchester City, Arsenal, Liverpool dhe Chelsea. Kontrata e tij me klubin portugez skadon në verën e vitit 2028. Mund të jetë Amorim ai që do të bindë sulmuesin të zgjedhë “djajtë e kuq”.