Kjo nuk i ndodhte Interit prej viti 2015, ja pse alarmi zikaltër vjen nga mbrojtja

31 Tetor 2024
8:10
Alfred Lleshi
back button

Pas barazimit 4-4 ndaj Juventusit, pa llogaritur fitoren e djeshme 3-0 ndaj Empolit, por duke vëzhguar të dhënat e sezoneve me Simone Inzaghin në stol, dyshimi tek Interi është legjitim. Golat e shumtë të pësuar nga mbrojtja zikaltër janë një defekt që mund “të hekuroset”, duke qenë ende në fillim të sezonit, por nëse vazhdon ky trend, me siguri do të bëhet konstante shqetësuese.

Interi në nisje të këtij kampionati duket si një skuadër thuajse e ndarë në dysh: përpara është e aftë të krijojë raste ndaj kujtdo, ndërsa në prapavijë…, më mirë të mos e mendosh shumë. “Pokeri” i golave ​​të pësuar nga zikaltrit është diçka që nuk ishte parë në “San Siro” që nga viti 2015 ndaj Fiorentinës.

Zemërimi i Inzaghit pas ndeshjes flet shumë për defektet në fazën e mbrojtjes. Karshi një skuadre të gjatë dhe me repartet larg njëri-tjetrit, Juventusi, edhe pse ishte në disavantazh, dilte shpesh tre kundër tre në fazën e vet sulmuese. Vetë “koka” (aspekti psikologjik) duket se është problemi i vërtetë, siç tregohet nga një statistikë tjetër.

Në 10 minutëshat e fundit të ndeshjeve të këtij kampionati, 7 pikë u humbën rrugës, deri tani, kundër Genoa, Monza, Milan, Juventusit. Praktikisht, zikaltrit janë ndëshkuar “in extremis” në 44 për qind të ndeshjeve të luajtura. Një fakt shqetësues, që tregon se lojtarët e Inzaghit nuk janë mirë me “frymëmarrjen” në minutat e fundit.

Në krahasim me sezonin e kaluar ekziston një humnerë në shifra, por duke krahasuar 9 ndeshjet e para të drejtimit të Inzaghit zbulojmë se në realitet 13 golat e pësuar në kampionat janë një “normë” dhe jo përjashtim. 5 gola të pësuar një vit muaj më parë, 14 (madje më keq se sot) më 2022-2023, ndërsa më 2021-2022 vetëm një gol më pak se sot. Sigurisht që ka diçka për t’u nënvizuar: kurrë një ekip i Serie A nuk e ka fituar titullin duke pësuar mesatarisht më shumë se një gol për ndeshje.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit