Interi fitoi minimalisht ndaj Venezia, por u trondit seriozisht në minutën e 98-të, kur mysafirët mund ta kishin barazuar rezultatin. Në fund të këtij ballafaqimi, mesfushori Henrik Mkhitaryan foli për Dazn.
Duket sikur ju nuk zëvendësoheni ndonjëherë…
Të luash në këtë ekip është e veçantë, më pëlqen shumë. Shokët e mi më ndihmojnë të jem më i fortë fizikisht. Po mundohem të jap gjithçka, duke luajtur 60-70-90 minuta. Jam këtu për ta ndihmuar ekipin.
Tani vjen Arsenali, pastaj Napoli…
Së pari do të mendojmë për Arsenalin, më pas do të kemi kohë të mendojmë edhe për Napolin. Natyrisht që do të jetë e veçantë me blutë, pasi luftojmë të dyja skuadrat për vendin e parë, por siç e thashë le të mendojmë fillimisht për “Topçinjtë”.
Fundi i kësaj ndeshjeje ishte “thriller”, për pak ua hoqi fitoren nga duart…
E vumë veten në vështirësi, mund ta kishim mbyllur ndeshjen më herët. Në fund mund të kishim paguar shtrenjtë, vërtet. Durimi, inteligjenca dhe qetësia janë çelësi në futboll, por duhet t’i mbyllim ndeshjet më shpejt. Nuk është e lehtë në Serie A, por po punojmë për t’u përmirësuar në këtë aspekt.
Çfarë ju mungon?
Nëse nuk i mbyll ndeshjet sa më shpejt të jetë e mundur, bëhet e vështirë. Kur rritet presioni, vihemi paksa në vështirësi, por vazhdojmë të punojmë dhe kjo është rruga. Askush nuk tha se do të jetë e lehtë.