Sylvinho; Fat i madh që do t’i luajmë dy ndeshjet e fundit në shtëpi, synojmë kreun e grupit

8 Nëntor 2024
11:49
Alfred Lleshi
back button

Trajneri Sylvinho ka dalë në konferencë për shtyp dhe ka shpkeguar listën e lojtarëve, 28 të tillë, që do të grumbullojë për 2 sfidat e fundit të Ligës së Kombeve, ndaj Çekisë dhe Ukrainës, në “Arena Kombëtare”. Braziliani ka analizuar formën e futbollistëve të thirrur dhe çfarë pret në dy sfidat e afërme, të 16 dhe 19 nëntorit:

“28 lojtarë në listë? Janë dy ndeshje, mos harroni se 5 lojtarë tanët janë me nga një karton të verdhë. Do të luajmë në shtëpi dhe nuk kemi nevojë të udhëtojmë shumë. Kemi 3 lojtarë në dyshim për shkak të gjendjeve të tyre; Kumbulla, Manaj dhe Keidi Bare. Duhet të kosultohemi me mjekët e ekipit kombëtar për të parë nëse do të luajnë apo jo.

Vendi i parë në grupin B1? Mund të jemi të parët, të katërta janë ekipe që kanë luajtur në Europianin e Gjermanisë. Rivalët e grupit kanë futbollistë të fortë, që luajnë në Premier League, Bundesligë, Serie A. Gjithçka është e hapur, kemi një avantazh sepse do t’i luajmë dy kualifikueset e fundit në shtëpi.

Muçi po shkëlqen? Për mua kjo ‘dhimbje koke’ është e mirë. Duhet të kem hapësirë për lotjarët që të zgjedh. Manaj, Kumbulla dhe Bare kanë disa ditë larg fushave, duhet të shikojmë se çfarë gjendje kanë. Muçi po luan shumë mirë, edhe Bajrami po shkëlqen në Skoci. Asnjë nuk e di që unë kam shkuar për ta parë Muçin, asnjë nuk e di se sa e vështirë është të ambientohesh në një klub tjetër. Një lojtar ka nevojë për mbështetje në çdo moment të vështirë, qoftë edhe për një përqafim.

Pse nuk figuron në këtë listë të zgjeruar Christian Shpendi? Këtu po ndodh diçka e bukur me kombëtaren, pasi po marrim shumë lojtarë nga U-21. Këtu kam parasysh Simonin, Fetain, ndihem keq për Pajazitin, që është i dëmtuar dhe i duhen disa javë për t’u rikuperuar.

Nuk ishte momenti për ta grumbullar Shpendin, vetëm për t’i dhënë disa minuta. Ndoshta do të jetë momenti ta marrin ftesën time të dy vëllezërit njëherësh.

Rikujtoj një lojtar tjetër të grumbulluar më parë. Medon Berisha ka rimarrë një dëmtim dhe ka 50 ditë larg fushave. Shpesojmë që të rikthehet sa më shpejt, pasi është një lojtar i rëndësishëm për ne.

Çfarë pres në këto dy ndeshje? Nuk di të them momentalisht se si do të luajmë. Është një grup i vështirë dhe duhet të stërvitemi shumë. Ju siguroj që do të provojmë të bëjmë mirë, të luajmë me zemër dhe shpirt. Do të kemi mbështetjen e tifozëve tanë, që nuk na kanë lënë vetëm kurrë.

Muçi dhe Uzuni po shënojnë gola, a meritojnë më shumë minuta në kombëtare? Është e vërtetë, duhet të shohim gjendjen e Manajt, pastaj do të vendosim se kush mund të luajë në sulm. Daku është i pezulluar, kemi disa alternativa për të luajtur si ‘9’. Uzuni është më i përfshirë brenda, ndërsa Muçi lëviz më shumë jashtë zonës. Kanë karakteristika të ndryshme dhe gjatë ndeshjes mund t’i aktivizojmë për të marrë maksimumin.

Feta Fetai, a është pjesë e projektit? Ne kemi marë shumë lojtarë nga U-21; Mitaj, Adrian Bajrami, Simoni, Fetai, Çuni, Pajaziti. Janë lojtarë që i kemi në plane, janë të rëndësishëm dhe sigurisht duhet t’iu japim minuta. Sidoqoftë, për momentin nuk mund t’i kemi të gjithë pjesë të kombëtares, pasi kemi edhe futbollistë në moshë të re në ekip si Asllani dhe Bajrami. Pra, duhet t’i alternojmë të gjithë.

Më shumë gola të pësuar se sa të shënuar në këto eliminatore? Duhet të kemi parasysh edhe kundërshtarët. Gjeorgjia pëson pak. Të gjitha ekipet e grupit janë të forta, pak a shumë jemi në të njëjtin nivel. Edhe ne si ekip nuk pësojmë shumë gola. Nuk janë kundërshtarë ndaj të cilëve mund të shënosh në 15 minuta 1 apo 2 gola. Kemi marrë 6 pikë në këtë rrugëtim, kemi pasur ndeshje të vështira. Lojtarët kanë bërë mirë në ‘Euro 2024’, stafi ka bërë mirë, grupi është i ekuilibruar. Na presin 2 ndeshje të vështira, por do të japim më të mirën tonë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit