“Nëse Milani vazhdon me pozicionin jashtë loje të avancuar, Vlahovic do të jetë vendimtar, duke sulmuar në thellësi. Shumë gjëra në Milan-Juventus do të vijnë nga këto situata”. Fabio Capello, ish-trajneri i të dyja skuadrave në fjalë, është i sigurt për këtë. Duke folur për “Gazzetta dello Sport” ai bëri prognozën e kësaj supersfide të Serie A: “Dusan lëviz shumë mirë në zonë dhe në disa aspekte të kujton Trezeguet. Ai duhet të përmirësohet në lojën me ekipin. Lëvizjet e tij në fushë janë si një manual i sulmuesve të mëdhenj, serbi do të jetë një nga çelësat e sfidës”.
Kush luan më shumë “aksione” në këtë ndeshje të madhe?
Besoj se Milani. Megjithatë, kushdo që del i mundur në këtë përballje rrezikon të humbasë edhe ‘trenin e fundit’ për titullin. Kjo vlen për të gjithë, veçanërisht për Fonseca. Juventusi është ende i pamposhtur në Serie A dhe, nëse do të fitonte në ‘San Siro’, do të dërgonte një sinjal të fortë për të gjithë kampionatin. Kreu i renditjes është i ngjeshur, ndaj potencialisht gjithçka mund të ndodhë. Për sa i përket skuadrës dhe përvojës, Interi mbetet favorit.
Fonseca dhe Motta janë në sezonin e tyre të parë me Milanin dhe Juventusin, cili project ju duket më i avancuar?
Milani dhe Juventusi janë ende dy skuadra në “laborator”. Skuadra e Fonseca u duk se shpërtheu në “Bernabeu”, më pas u kthye prapa ndaj Cagliarit. Milani shënon shumë, por edhe pëson shumë. Thiago Motta ka mbrojtjen më të mirë në Serie A dhe dalëngadalë po fillon ta gjejë më shumë rrugën e golit. Në ‘San Siro’ pres që Juventusi të menaxhojë lojën dhe posedimin e topit, duke pritur momentin e duhur për ta befasuar mbrojtjen e lartë të kuqezinjve. Pres ta bëjë këtë përmes Vlahovic ose futjeve të Koopmeiners. Bardhezinjtë vijnë nga një derbi i dominuar prej tyre ndaj Torinos. Personalisht pashë Juventusin më të mirë të sezonit kundër Torinos. Për të fituar, Fonseca do të ketë nevojë për një Milan të stilit ‘Bernabeu’, më i mbuluar dhe më i vëmendshëm në fazën e mbrojtjes.