Ka zhvillime të reja për Hakan Calhanoglu. Mesfushori i Interit dhe i kombëtares turke, i rikuperuar nga një problem me aduktorin e majtë, që pësoi në ndeshjen kundër Uellsit, të shtunën e kaluar, nuk u kthye në Milano pas kryerjes së MRI-së.
Në fakt, testet instrumentale rezultuan pozitive, pa asnjë dëmtim, ndaj trajneri Vincenzo Montella preferoi ta mbante lojtarin në grumbullim me Turqinë.
Në kuadër të ndeshjes së nesërme kundër Malit të Zi, megjithatë, sipas asaj që ka bërë të ditur “Haber Turk”, kombëtarja osmane ka zhvilluar stërvitjen e radhës. Kapiteni Hakan Çalhanoglu nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme, pas lëndimit.
Pas përfundimit të seancës, kombëtarja turke do të niset nga Kajseri për të mbërritur në Mal të Zi, ku do të luajë ndeshjen e ‘Nations League’ në Ligën B, Grupi 4, e vlefshme për xhiron e gjashtë të këtij kompeticioni.
“Gazzetta dello Sport” bën një pasqyrë të rikthimit të Calhanoglu në fushë, pas dëmtimit të tij me Turqinë. Zikaltrit janë në pritje të tij, por problemi që ka është shqetësues. Për momentin do të jetë me kombëtaren e tij.
Ndërkohë që janë përjashtuar lëndimet e rënda, Hakan është jashtë fushës, por për momentin i grumbulluar me kombëtaren. Interi planifikon t’i kryejë teste shtesë instrumentale, por Calhanoglu me siguri do ta humbasë ndeshjen e radhës në Serie A kundër Hellas Verona. Edhe sfida ndaj Leipzig në Champions League është gjithashtu në rrezik.