“Ai e goditi topin si me pantofla”. Kështu e komentoi me ironi Nicolas Tagliafico, mbrojtësi i majtë i Argjentinës, golin e Lautaro Martinez kundër Perusë në “Bombonera”. Por përgjigja e sulmuesit të Interit nuk vonoi. Në fakt, pas daljes triumfuese nga stadiumi, “Toro” ua tregoi gazetarëve arsyen e kësaj shakaje: “Shikoni…” Dhe kamera e “TyC Sports” e inkuadroi menjëherë kapitenin zikaltër me… pantofla.
Më pas, duke u kthyer te gjërat serioze dhe komentuar fitoren 1-0, pas përqafimit intensiv me Lionel Messin për asistin që i dha, Lautaro shtoi: “Jam i lumtur, sepse u përpoqa ta zgjidhja sa më shpejt. Ishte një top që po kthehej prapa, kështu që jam shumë i lumtur, sepse topi përfundoi në portë dhe kjo mjaftoi për të fituar”.
“Çfarë do të thotë ky gol për ‘Topin e Artë’? Po ta kisha realizuar një apo dy javë më parë….”, – ka bërë shaka gazetari argjentinas, duke e bërë Lautaron të buzëqeshë. Kjo pyetje lidhej padyshim me vendin e shtatë, që nuk e kënaqi: “Jo, ky diskutim tashmë ka përfunduar. Nuk flas më për këtë. E vërteta është se jam i lumtur. Nuk u ankova për vendin e shtatë, por siç thashë, prisja pak më shumë. Gjithsesi…”
Barazoi Maradonën – Lautaro Martínez ka arritur diçka të rëndësishme me kombëtaren argjentinase, duke shënuar golin që siguroi fitoren kundër Perusë. “Toro” ka arritur në kuotën e 32 golave me kombëtaren tashmë, një numër që e ka barazuar me Diego Armando Maradonën.
Sulmuesi i Interit, që është vetëm 27 vjeç, ka shprehur kënaqësinë e tij për këtë arritje, duke theksuar mbështetjen nga familja e tij, e pranishme në ndeshje, dhe vlerësuar sezonin, të cilin e ka quajtur “shumë spektakolar” për sa i përket paraqitjeve, golave dhe ndeshjeve të luajtura.
Në një intervistë për “TyC Sports”, Lautaro komentoi vitin pozitiv, duke theksuar se është e nevojshme të vazhdojnë të përmirësohet: “Jam i lumtur për këtë vit pozitiv, fatmirësisht e përfunduam me një fitore. Ka qenë një vit spektakolar për sa iu përket paraqitjeve dhe golave. Duhet të vazhdojmë të luajmë dhe të përmirësohemi çdo ditë”.
Për më tepër, ai shtoi se, megjithë sukseset, gjithmonë ka hapësirë për rritje dhe përmirësim. Lautaro gjithashtu kujtoi vendosmërinë e kombëtares argjentinase për të mbetur në majë: “Dua gjithmonë të jap më të mirën. Të gjithë duan të na mundin si kombëtare, por Argjentina është gjithmonë protagoniste. Ka gjëra që duhen përmirësuar, por duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”.