Nga një argjentinas te tjetri. Nga një sulmues te një tjetër. Hernán Crespo, ish-bomberi i Interit dhe shumë klubeve të tjera, ka folur gjatë për Lautaro Martínez në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”. Lautaro, që me Argjentinën ka arritur kuotën e 32 golave (tre më pak se Crespo), sipas ish-sulmuesit është një nga më të mirët në botë.
Crespo kujtoi momentin kur Barcelona e donte Lautaron: “Ai është një nga sulmuesit më të fortë në botë. Nuk e harroj kur disa vite më parë e kërkonte Barcelona dhe Interi dukej se po hezitonte. Unë e këshillova të qëndronte te zikaltrit, sepse do të kishte kënaqësi të mëdha dhe mundësi për t’u përmirësuar akoma. Nuk gabova, kam pak përvojë me sulmuesit”.
Duke analizuar karakteristikat e Lautaros, ish-sulmuesi argjentinas tha: “Ai është një sulmues i kompletuar, di të bëjë gjithçka. Një sulmues vlerësohet për sa gola shënon, dhe Lautaro po shënon shumë, por duhet parë edhe ndikimi i tij në skuadër. Lautaro po tregon sa e rëndësishme është prania e tij, si për Interin, ashtu edhe për Argjentinën. Është i shkëlqyer me të dyja këmbët, i aftë në driblim, i fortë me kokë dhe e kupton lojën. Çfarë mund të kërkojmë më shumë nga një qendërsulmues?”
Edhe pse Lautaro ka vetëm 5 gola në kampionat, deri tani, Crespo i mbron performancat e tij: “Është normale që një sulmues, edhe aq i mirë sa Lautaro, të kalojë një periudhë ku shënon më pak. Kjo nuk do të thotë se duhet kritikuar, sepse të kritikosh Lautaron është herezi. Ai është një lider i vërtetë, si tek Interi, ashtu edhe me kombëtaren. Ka fituar një vetëbesim që i lejon të udhëheqë shokët e skuadrës dhe të bëjë lëvizjet e duhura për lojën në grup. Nuk mendon vetëm për golat e tij, por edhe për ekipin. Ai është një sulmues modern”.