Fabregas: Jam i sigurt se Xavi po bën më të mirën për Barcelonën

21 Maj 2024
9:05
Alfred Lleshi
back button

Cesc Fàbregas, ish-futbollisti i Barcelonës, ka pasur një debutim të madh si trajner, duke arritur ngjitjen në Serie A me skuadrën e Como-s. Katalanasi ka kaluar përmes mikrofonave të “El Larguero” për të bërë një bilanc të debutimit të tij në stol, ndërkohë që nuk ka evituar edhe tema të tjera aktuale të futbollit.

Siç nuk mund të ndodhte ndryshe, Cesc u pyet për situatën që po përjeton Xavi Hernández te Barça. Ai donte të vinte në pah punën e ish-shokut të skuadrës në një kontekst jo të favorshëm. “Jeta ime ka ndryshuar shumë nga lojtar në trajner, tani jam shumë më i zënë se më parë. Mundohem të shikoj futboll, por nuk jam shumë i përfshirë në lajmet e përditshme.

Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Xavi. Unë kam folur gjithmonë në intervista për të. Ai më duket se është një djalë që di se çfarë thotë dhe çfarë bën. Nuk e di se si funksionon, por jam i sigurt se bën gjithçka për më të mirën e klubit. Shikoni sa lojtarë të akademisë ka evidentuar në ekipin e parë, që kur mbërriti në pankinë.

Ne nuk e kuptojmë si duhet këtë tani për tani, por pas dy ose tri vitesh do të fillojmë të kthejmë kokën pas dhe themi: Xavi i evidentoi dhe iu dha atyre mundësinë. Më pas, mund të formohet një grup i mirë për të konkurruar në nivelin më të lartë.

Ajo që ndodh është se ne po flasim për këto klube, si Barça ashtu edhe Real Madridi, Bayern Munich, PSG, Manchester City apo Manchester United, të cilët duhet të jenë gjithmonë në nivelin më të lartë, pa marrë parasysh çfarë pune bëhet me të rinjtë. Xavi është një trajner që me siguri po kontribuon shumë te Barcelona”.

Vlen të kujtohet se Cesc Fàbregas dhe Xavi Hernández ishin bashkëlojtarë te Barçës midis viteve 2011 dhe 2014, si dhe në kombëtaren spanjolle, me të cilën fituan një Kupë Bote dhe dy Kampionate Evropiane.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit