“Nëse Atalanta do të luante gjithmonë si ndaj Napolit, nuk do të kisha dyshime për titullin”

23 Nëntor 2024
8:57
Alfred Lleshi
back button

Në edicionin e sotëm të “Gazzetta dello Sport” mund të lexoni një editorial të shkruar nga Arrigo Sacchi, i cili e komenton kështu kampionatin italian: “Interi dhe Atalanta po përpiqen të bëjnë hapin e madh, për ta kaluar të paktën një natë në krye të renditjes, ndërsa Napoli pret nesër sfidën ndaj Romës. Edhe Juventusi e ka këtë mundësi, pasi do të përballet në ‘San Siro’ me Milanin, megjithëse vjen në këtë sfidë me shumë mungesa.

Këtë sezon kampionati është shumë i veçantë, emocionues, i luftuar. Të gjitha skuadrat, ato në krye dhe ato në fund të renditjes, po përpiqen të paraqesin stilin e tyre, duke u fokusuar te cilësitë e tyre pa u mbështetur te mbrojtja dhe kundërsulmi i zakonshëm. Më mirë kështu, sepse do të thotë që futbolli italian më në fund po evoluon”.

Për Interin: “Ka cilësi teknike, fuqi fizike, përvojë dhe frymë sakrifice. Është klubi me grupin më të plotë në Serie A, besoj se do të luftojë deri në fund si për titullin e kampionit, ashtu edhe për Champions League, me kusht që lojtarët të vazhdojnë rritjen e tyre. Simone Inzaghi i ka dhënë skuadrës një identitet të qartë dhe ka treguar përparime, sidomos në aspektin e mentalitetit. Tani Interi shkon në transfertë për t’i dominuar kundërshtarët. Dhe ia del. Më parë ishte një skuadër më e ndrojtur”.

Për Atalantën: “Tani nuk dihet më çfarë të thuhet për të. Çdo vit në Bergamo bëjnë mrekulli. Dhe më duket se, pikërisht sepse përsëritin vetveten, nuk janë më mrekulli, por realitete të mrekullueshme të ndërtuara përmes punës. Në fillim të sezonit shitën Koopmeiners, Lookman dukej se do të largohej, edhe Scamacca u dëmtua. Dukej sikur do të dorëzoheshin, por në vend të kësaj, Gasperini arriti të prodhonte lojë edhe më të bukur dhe më efektive. Nëse Atalanta do të luante si kur fitoi ndaj Napolit, nuk do të kisha dyshime se kush do ta fitonte titullin. Pra, Atalanta”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit