Erling Haaland shprehu padurimin për t’u rikthyer në fushë dhe të ndihmuar Manchester City të ndërpresë serinë prej 4 humbjesh radhazi. “Kemi humbur 4 ndeshje radhazi, gjë që nuk është normale për një klub si ky.
Që na dhemb kjo gjë, është e qartë. Motivimi është më i madh se kurrë për të luajtur të shtunën, për të fituar ndeshjen dhe rikthyer në garë”, – tha sulmuesi norvegjez për “Sky Sports UK”, në prag të përballjes me Tottenhamin.
Bomberi nordik tregoi si ndihej jashtë fushe në këtë periudhë të vështirë: “Mendoj se është e rëndësishme thjesht t’i lëmë gjërat të rrjedhin. Kjo është gjëja më e vështirë, edhe në jetë, por nuk kemi gjithçka në dorë. Duhet të fokusohemi tek ajo që vjen më pas, shikoni edhe sa shumë ndeshje ka kampionati…
Nuk kam menduar për 4 humbjet e fundit; shkova në kombëtare dhe fitova 2 ndeshje. Bëhet fjalë për të rifilluar, për të jetuar të tashmen dhe shikuar përpara. Nuk është aq keq, nuk jemi duke rënë nga kategoria. Jemi të dytët dhe ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur”.
Kjo situatë duket si sezonet e mëparshme: fillim i shkëlqyer, rënie në tetor-nëntor dhe më pas rikthim i jashtëzakonshëm në vitin e ri: “Nëse shohim sezonin e ‘tripletës’, nuk ishim në nivelin e asaj që arritëm. Pra, në fund, nuk duhet të mendojmë shumë për këtë. Nuk është fundi i botës, janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur”.