Me kontratën spektakolare që firmosi javë më parë me kompaninë “Nike”, Barcelona është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në variantin e saj të artë, si para një dekade.
Drejtuesit katalanas janë të etur për të zgjatur kontratat e lojtarëve titullarë dhe të atyre të cilët i konsideron të besueshëm për të ardhmen.
Të radhës në listë janë Pedri dhe Gavi. Ata janë “produkt bio” i akademisë La Masia dhe perceptohen si bërthama e skuadrës. Këtë javë pritet të hidhet e zeza mbi të bardhë.
Kontratat e reja të dy mesfushorëve do të jenë të vlefshme deri në vitin 2029 ose 2030, duke shtuar klauzola prej 1 miliard eurosh (praktikisht mision i pamundur – përjashto Arabinë Saudite).
E ardhmja e Barcelonës është në duar të sigurta. Balde, Araujo, Cubarsi, Kounde, Pedri, Gavi, Fermin Lopez, Bernal, Casado, Dani Olmo, Lamine Yamal, Ferran Torres dhe Raphinha janë garanci për sukses.