Cristiano Ronaldo mund të jetë gati për një kapitull të ri në karrierën e tij. Ylli portugez, i eliminuar në fazën e 1/8-ve të finaleve të Botërorit 2026, do të debutojë si producent ekzekutiv dhe aktor në një serial të ri britanik me temë futbollin. Në moshën 41-vjeçare, Ronaldo, i cili nuk e ka fshehur kurrë pasionin për kinemanë dhe dëshirën për t’u bërë aktor, duket se po mendon edhe për jetën përtej fushës.
Seriali do të quhet “Day 1s” dhe do të rrëfejë historinë e agjentit të fuqishëm Stanley Dalton, i interpretuar nga Damian Lewis, ylli i “Homeland” dhe “Billions”. Në kast pritet të jetë edhe ish-sulmuesi francez dhe legjenda e Arsenalit, Thierry Henry.
Sipas “The Sun”, një burim pranë projektit ka zbuluar se “ka shumë gjasa të nisë një garë e fortë mes platformave të transmetimit për të siguruar të drejtat e debutimit të Ronaldos si aktor”.
Burimi shtoi: “Niveli i lartë i emrave të përfshirë e bën këtë një projekt prestigjioz. Pas Botërorit është rritur interesi ndërkombëtar, sidomos në SHBA, për futbollin britanik. Nuk është një ‘sitcom’, por një serial dramatik me disa elemente humori dhe me një kast të nivelit të lartë”.







