Ai ishte protagonisti i madh në Milan-Juventus, lojtari më i shumëpritur nga tifozët kuqezinj, të cilët shpresonin që ta ndëshkonte edhe “Zonjën e Vjetër”, pasi kishte shënuar kundër ish-skuadrës tjetër të tij, Real Madridit. Alvaro Morata, megjithatë, para një jave thuajse nuk u pa fare në fushë. Plotësisht i neutralizuar nga dyshja Kalulu-Gatti, por jo vetëm për shkak të gabimeve të tij.
Tani është ndeshja Milan-Empoli, një tjetër mundësi që nuk duhet humbur dhe shans i shkëlqyer për të thyer një tabu, që po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Për të sfiduar ata që thonë se puna e madhe e kërkuar nga Fonseca e largon spanjollin nga zona e golit.
Ndoshta është shumë për një lojtar që duhet të luajë si “9”, edhe pse mban numrin 7 mbi supe. Natyrshëm lind pyetja: Si po shkon Morata te Milani? A është Morata një “9” i vërtetë? Në realitet, nganjëherë spanjolli duket më shumë si një mesfushor i shtuar sesa sulmues në Milanin e Fonseca, ose të paktën një lojtar që luan për të krijuar raste për të tjerët.
Nuk është rastësi që paraqitjet e tij më të mira kanë ardhur kur pranë ka pasur një sulmues më fizik si Abraham. Kur është thirrur të përballet vetë me mbrojtjet kundërshtare, e ka pasur të vështirë të jetë i rrezikshëm, megjithëse ndihmon shumë ekipin me lojën e tij kombinative. Këto cilësi janë shumë të vlerësuara nga Fonseca dhe ishin arsyeja pse Milani e zgjodhi atë për të zëvendësuar Giroud.
Përpara ndeshjes Milan-Juventus, Zlatan Ibrahimovic kishte thënë për DAZN se Morata nuk është një bomber që shënon “50 gola në sezon”: “Ne jemi shumë të kënaqur, e dinim çfarë do të sillte te Milani. Është një lojtar ekipor, që nuk shënon 50 gola në vit, por ndihmon shokët. Po ashtu është një lider, që e ndihmon ekipin edhe jashtë fushës”.
Për këtë arsye, në ditët e fundit të merkatos, Milani kërkoi një sulmues tjetër me karakteristika më të ngjashme me ato të Giroud. Morata nuk është një goleador dhe statistikat e këtij sezoni e konfirmojnë këtë. Ai nuk ka shënuar në kampionat prej dy muajsh. Në 13 paraqitje mes Serie A dhe Ligës së Kampionëve ka shënuar vetëm 3 gola, i fundit prej tyre në Madrid.
Në krahasim, Vlahovic, i kritikuar shumë, ka shënuar 9 gola në 16 paraqitje, ndërsa Thuram i Interit ka arritur tashmë shifra dyshifrore. Në javët e fundit, Morata u ngadalësua nga një goditje e rëndë në kokë, përpara ndeshjes ndaj Cagliari, gjë që e bëri të humbiste udhëtimin në Sardenjë, por nuk mjaftoi për ta shpëtuar nga grumbullimi me kombëtaren spanjolle. Kjo shkaktoi polemika mes Fonseca dhe trajnerit De La Fuente.
Aktualisht, e vetmja alternativë reale ndaj Morata për Fonseca është Abraham. Në Bratislavë, anglezi e zëvendësoi më së miri kolegun e tij të repartit, duke dhënë asist për Pulisic dhe shënuar golin e tretë të fitores ndaj Slovan. Megjithatë, kundër Empolit, Tammy Abraham pritet të qëndrojë në stol, duke i dhënë Moratës një tjetër shans për të gjetur golin e munguar.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes Milan-Empoli, Fonseca u pyet për mundësinë që Abraham dhe Morata të luajnë së bashku: “Është një mundësi që e kam në mendje. Mund të luajmë me dy sulmues kundër ekipeve që na lejojnë të kemi avantazh”.
Me Jovic jashtë projektit për shkak të një pubalgjie të bezdisshme, shpresa e Milanit është që Camarda të zhvillohet më shpejt. Për këtë arsye, të paktën për momentin, nuk priten ndërhyrje në merkato për një tjetër sulmues në janar.







