Barcelona bën “harakiri” në shtëpi, mposhtet nga modestët e Las Palmas

30 Nëntor 2024
16:04
Alfred Lleshi
back button

Barcelona pësoi një humbje të befasishme 2-1 në shtëpi nga Las Palmas, këtë të shtunë. Ndeshja në fjalë e La Liga-s, që u zhvillua në “Estadi Olímpic”, pati një pjesë të parë të tensionuar, ku Barcelona u shfaq më shumë pranë portës kundërshtare dhe golit, përfshirë goditje e traversës nga Raphinha, para pushimit mes dy pjesëve të lojës.

Pjesa e parë, gjithsesi, u mbyll pa gola. Las Palmas shënoi i pari në minutën e 48-të, me Sandro Ramírez, pas një asistimi të mirë nga Kirian Rodríguez. Barcelona reagoi dhe barazoi në minutën e 60-të, me anë të Raphinha, falë një goditjeje të fuqishme prej jashtë zone.

Megjithatë, Las Palmas riktheu avantazhin vetëm 5 minuta më vonë, në minutën e 66-të, kur Fábio Silva shënoi nga afër, pas një asistimi të Javi Muñoz. Pavarësisht disa tentativave dhe shanseve reale nga Barcelona, përfshirë goditje nga Lamine Yamal dhe Raphinha, katalanasit nuk mundën të gjenin gol tjetër.

Las Palmas e mbrojti avantazhin 2-1 dhe fitoi ndeshjen. Disfatë e papritur dhe mjaft e hidhur kjo për skuadrën e Hansi Flick, e cila duket në njëlloj krize tashmë. Kjo ishte goditja e radhës pas disfatës kundër Real Sociedad dhe barazimit ndaj Celta Vigo…

Edhe këtë javë e ruan kreun e La Liga-s, por tashmë i jep shansin Real madridit t’i afrohet me minus një pikë, nëse e fiton duelin e vet të javës së 15-të ndaj Getafe, ditën e nesërme, në “Santiago Bernabeu”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit