Sulmuesi Robert Lewandowski (35 vjeç) hapi rezultatin në fitoren ndaj Rayo Vallecano (3-0) dhe arriti shifrën e 25 golave në këtë sezon. Kuotë që do ta detyrojë Barçën të paguajë bonusin e dytë për të cilin ranë dakord me Bayern Munich në verën e vitit 2022, kur transferoi polakun.
Ne kujtuam tashmë tri javë më parë, me rastin e “hat-trick” të Lewandowski kundër Valencias, se sulmuesi veteran ishte vetëm dy gola larg arritjes së këtij bonusi (për arkat e klubit bavarez). “9” i Barçës shënoi kundër Girona dhe Rayo për ta aktivizuar si klauzolë kontraktuale.
Lewandowski mbërriti në klubin katalanas për 45 milionë euro fikse, plus 5 milionë të tjera në formë bonusesh, të cilat ishin të kushtëzuara nga sulmuesi. Nëse ai shënonte nga 25 gola në secilin prej katër sezoneve që nënshkroi kontratën e tij, atëherë Barça duhej të paguante edhe 5 milionë eurot plus. Domethënë, për çdo vit që Lewandowski arrin 25 gola, klubi katalanas do të duhet të paguajë 1.25 milionë euro te Bayern Munich.
Golat e Lewandowskit
2023/2024
– La Liga: 18 gola në 34 ndeshje
– Champions League: 3 gola në 9 ndeshje
– Kupa e Mbretit: 2 gola në 3 ndeshje
– Superkupa e Spanjës: 2 gola në 2 ndeshje
TOTALI: 25 gola në 48 ndeshje
Duhet mbajtur mend se Lewandowski shënoi 33 gola në të gjitha garat, sezonin e kaluar dhe Barça tashmë duhej të paguante të parën nga variablat e përcaktuara në marrëveshjen e transferimit me Bayernin. Polaku ka edhe dy vite të mbetura nga kontrata e tij me Barçën. Nëse ruan ritmin e shënimit të golave, kjo do të bëjë që katalanasit të paguajnë edhe 2.5 milionë euro të tjera për Bayernin.