Parma ka një vend të veçantë në historinë e familjes “Thuram”. Pikërisht në këtë qytet ka lindur Marcus, djali i Lilian Thuram, i cili këtë mbrëmje do të luajë një “derbi” shumë të veçantë kundër ekipit “dukat”. Sulmuesi, sipas “Gazzetta dello Sport”, do të ketë një detyrë kyçe: të udhëheqë Interin në ndeshjen e “San Siro”, me start orën 18:30, e cila ngre siparin e javës së 15-të të kampionatit italian.
Marcus do të përballet për herë të parë në karrierën e tij me Parmën, qyteti ku lindi dhe jetoi midis viteve 1997 dhe 2001, përpara se familja të transferohej në Torino, kur babai Lilian firmosi me Juventusin. Ekziston mundësia që edhe ish-mbrojtësi të jetë i pranishëm në tribunë, megjithëse kjo ende nuk është konfirmuar. Ndërkohë, për Marcus, kjo do të jetë një ndeshje e mbushur me kujtime, pasi si fëmijë ëndërronte të ndiqte gjurmët e legjendës së Parmës, Marco Di Vaio.
Për Marcus Thuram, kjo nuk do të jetë vetëm një natë e mbushur me emocione personale, por edhe një mundësi për të prishur “agjërimin” e gjatë në “San Siro”. Sulmuesi francez nuk ka shënuar në shtëpi që prej dy muajsh. Goli i tij i fundit në Milano daton më 5 tetor, kur realizoi një “hat-trick” të mrekullueshëm në fitoren 3-2 ndaj Torinos. Përballë publikut të tij, Thuram do të kërkojë të rikthehet te rruga e rrjetës dhe të shkëlqejë në një ndeshje të veçantë për të dhe familjen e tij.







