Hetimi ndaj Kylian Mbappé, futbollistit të Real Madridit dhe kombëtares franceze, për akuzën e përdhunimit dhe dy rasteve të ngacmimeve seksuale, që ndodhën në një hotel në qendër të Stokholmit më 10 tetor, është mbyllur në Suedi.
Prokurorja Marina Chirakova, në një deklaratë për gazetën “Aftonbladet”, e shpjegoi shkurtimisht arsyen e mbylljes: “Provat nuk ishin të mjaftueshme. Kemi marrë masat e zakonshme hetimore, duke përfshirë zhvillimin e një sërë intervistash (marrjesh në pyetje). Në hetimet për dhunë seksuale është zakon të kryhen edhe hetime teknike, edhe këtë e kemi bërë në këtë rast”.
Nuk ka pasur asnjë koment nga ana e gruas që ka bërë denoncimin ndaj lojtarit francez.