Vetëm një pikë ndaj Fulham në kampionat ka prishur disi planet e Liverpool, që tashmë është vetëm dy pikë para Chelsea në renditjen e Premier League. Një ndeshje e kushtëzuar edhe nga dalja me karton të kuq i Andy Robertson në pjesën e parë.
“Ishte një ndeshje rraskapitëse për ne. Ne luftuam shumë për të marrë një rezultat pozitiv. Në fund, natyrisht që nuk jemi të kënaqur me barazimin, por mendoj se kemi luftuar shumë për të marrë atë pikë dhe jam shumë krenar për djemtë”, u shpreh sulmuesi i Liverpool, Cody Gakpo.
“Mendoj se jemi shumë në formë. Natyrisht që publiku na ndihmon shumë, sidomos në shtëpi. Ne stërvitemi fort për të qenë gati për këto momente të vështira, por shpresojmë që të tilla situata, kur luajmë me një lojtar më pak, të mos vijnë aq shpesh”, shtoi Gakpo.
Holandezi realizoi një nga dy golat e Liverpool në këtë sfidë: “Mendoj se bëmë një punë të mirë duke dhënë kaq shumë energji në lojë dhe tifozeria jonë na ndihmoi shumë. Ishte një ndeshje që kishte të bënte me intensitetin e madh, por në fund duhet të kënaqemi me një pikë”.