Për të marrë pjesë në festë mjafton të tregosh ftesën. Lista e Interit shtrihet drejt shumë fytyrave: ‘regjisorë’, anësorë, lojtarë polivalentë, mesfushorë dhe sulmues. Protagonistët e zakonshëm dhe ‘heronjtë’ rastësorë. Është një skuadër ku shënojnë të gjithë dhe të gjithë argëtohen.
Në O’limpico’, në fitoren 6-0 kundër Lazios së tij të vjetër, Inzaghi arriti tripletë suksesesh: për herë të parë, që kur drejton, ka çuar te goli 6 lojtarë të ndryshëm; ka tejkaluar Atalantën si sulmi më i mirë i Serie A dhe ka arritur 47 gola në transfertë për vitin 2024.
Asnjëherë nuk kishte ndodhur kaq shumë në një vit kalendarik. Shifra e fundit është 40: golat e shënuar në 15 ndeshjet e para të këtij kampionati. Në Serie A kanë shënuar gol 14 lojtarë zikaltër (skuadra me më shumë realizues), edhe nëse mendojmë se mungojnë ende dy sulmues si Taremi e Arnautovic…
GRUPI – Është një Inter i bukur, guximtar, por edhe i zgjuar e dinake, sepse për një çerek ore i krijoi iluzionin Lazios se mund të përsëriste ndeshjen e Amsterdamit. Zbriti qendrën e lojës për ta ngritur pas gjysmë ore, duke shkelur pedalin e gazit dhe ikur në ‘autostradën A1’ me 6 gola të shënuar.
Lazio nuk pësonte 6 gola në ‘Olimpico’ prej 30 vitesh – 17 prill 1994, humbja 1-6 kundër Juventusit – ndërsa Inzaghi nuk kishte çuar kurrë te goli 6 lojtarë të ndryshëm brenda një ndeshjeje. ‘Anatomia’ e atyre që iu bënë keq bardhekaltërve na jep përmasën e duhur të forcës së Interit: në ‘Olimpico’ shënuan dy anësorët, ‘regjisori’-goditës i penalltive, një mesfushor, një lojtar polivalent dhe një sulmues.
Goli i dytë erdhi falë një krosimi nga anësori i djathtë drejtuar anësorit të majtë. Një manifest i “inzaghizmit” të ndërtuar përgjatë karrierës, i rafinuar gjatë viteve te Lazio dhe më pas i madhëruar tek Interi. Një ‘makineri’ perfekte që këtë sezon ka shënuar 4 gola ndaj Atalantës dhe 6 ndaj Lazios, dy rivalëve për titull.
MT9 BOMBER – Pika e fundit është për Thuram. Goli i tij përmbledh rritjen në 6 muajt e fundit. Inzaghi e mori mënjanë gjatë grumbullimit dhe e bindi të bëhej numri 9. Ai dhe Lautaro, në fakt, luajnë në mënyrë të ndryshme, me argjentinasin më shumë si krijues dhe ‘Tikus’ si bomber, si sulmues i vërtetë. Goli i gjashtë ishte pika e fundit në një ndeshje ku ai hapi hapësira dhe krijoi mundësi për bashkëlojtarët.
Goditja e majtë e Dimarco u realizua falë një lëvizjeje të tij drejt shtyllës së parë. Thuram ka shënuar 11 gola në kampionat. Sezonin e kaluar u ndal në 13 gola. Inzaghi, ndër vite, është treguar një ndërtues i shkëlqyer i golashënuesve: dy herë Immobile, një herë Lautaro, më parë të tjerë të rinj. Tani në duar ka djaloshin e lindur në Parma, që u rrit me fanellën e Di Vaio. Francezi po ndjek gjurmët e paraardhësve të tij.