138 gola në 426 ndeshje; Rashford hapet për një sfidë të re. Trajneri Amorim mendon ndryshe

18 Dhjetor 2024
13:01
Alfred Lleshi
back button

Marcus Rashford dëshiron të largohet nga Manchester United, klubi ku është rritur (u bashkua me “Djajtë e Kuq” që në moshën 7-vjeçare) dhe me të cilin ka shënuar 138 gola në 426 ndeshje. Sulmuesi 27-vjeçar kishte shprehur dëshirën për të “kërkuar një sfidë të re”, pasi u la jashtë nga trajneri Ruben Amorim në derbin e fundjavës së kaluar kundër City.

Për të ishte përfolur menjëherë mundësia për t’u transferuar në Itali, konkretisht te Juventusi dhe Roma. Kjo, pas një sezoni zhgënjyes, në të cilin Rashford humbi edhe vendin në kombëtare, pasi trajneri Southgate nuk e përfshiu në listën e lojtarëve për “Euro 2024”.

Amorim, duke folur në konferencën për shtyp para sfidës së Kupës së Ligës kundër Tottenham, bëri të ditur se nuk dëshiron që lojtari të largohet: “Nuk kam folur me Marcus, sepse iu kam dhënë një ditë pushimi lojtarëve të mi. Tani është këtu me ne dhe gati për ndeshjen e ardhshme.

Sigurisht që do të doja të qëndronte me ne, sepse është një talent. Ne kemi nevojë pikërisht për talente. Unë dua ta ndihmoj Marcus që të kthehet në nivelet e tij më të larta. Një sfidë të re mund ta gjejë edhe këtu, duke kontribuar që Manchester United të kthehet në një forcë dominuese të futbollit anglez”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit