Juventusi nuk e lë vetëm Simone Muratore, por i propozon kontratë si bashkëpunëtor teknik në sektorin e të rinjve. Në moshën 26-vjeçare, ish-mesfushori njoftoi se i ka dhënë fund futbollit të luajtur, pasi u detyrua “t’i varte këpucët në gozhdë” për shkak të një tumori në tru. Ai do të vazhdojë të jetë pranë fushës së lojës, por nga një perspektivë tjetër, duke qëndruar në familjen e madhe bardhezi, aty ku u rrit. Ai u tërhoq, pasi nuk kishte zgjidhje tjetër. “U përpoqa deri në fund”, – ka shkruar ai në mesazhin e gjatë në Instagram, me të cilin i vuri pikë karrierës si futbollist.
Tri vite më parë zbuloi se kishte një tumor në tru (nga i cili është shëruar). Kur iu diagnostikua një neurocitomë në ventrikulin e majtë, jeta ndryshoi papritur dhe fshiu të gjitha ambiciet e djaloshit që në vitin 2019 debutoi në Ligën e Kampionëve (një minutë kundër Bayer Leverkusen, që iu duk një përjetësi për shkak të gëzimit të përjetuar). Maurizio Sarri e bashkoi me pjesën tjetër të ekipit për ndeshjen në Gjermani dhe në minutën e 92-të i hapi derën botës së ëndrrave, duke e futur në lojë në vend të Cuadrados.
Muratore preku qiellin me duar dhe vitin tjetër, atë të pandemisë Covid-19, që tronditi të gjithë botën, realizoi ëndrrën tjetër duke debutuar në Serie A, pas disa grumbullimeve (por duke qëndruar në stol). Debutimi ndodhi kundër Lecce, kur u fut në lojë në vend të Bernardeschi. Kjo ishte e para nga 4 paraqitjet e tij në atë sezon të vështirë për shkak të situatës së pandemisë globale, por që përfundoi me fitimin e titullit kampion.
Hera e fundit që përjetoi emocionet e një ndeshjeje ishte më 10 tetor 2021, me Tondela në Portugali, ku ishte në huazim nga Atalanta. Tani, 1.830 ditë më pas, është momenti të mbyllë një kapitull të rëndësishëm të jetës: “Kam pasur fatin të luaj me lojtarë të jashtëzakonshëm, kampionë, jo vetëm brenda fushës, por edhe jashtë saj. Këtë nuk mund të ma marrë askush. Jam mirënjohës për gjithçka që kam bërë dhe arritur brenda atij drejtkëndëshi të gjelbër, së bashku me shokët e ekipit, që u bënë miqtë e mi. Kanë qenë vite të mrekullueshme; fusha, dhoma e zhveshjes, pasioni janë gjëra të vështira për t’i shpjeguar, nëse nuk i përjeton vetë”.
Është momenti për të filluar nga e para, pasi rrezikoi të humbiste gjithçka, duke u përballur me frikën e vdekjes dhe dhimbjen e të afërmve të tij: “M’u desh të mësoja sërish të flisja siç duhet, të ecja, të vrapoja, të shkruaja, të lexoja, të numëroja. Ishte si të kthehesha në fëmijëri dhe të filloja gjithçka nga e para, nga dita zero”.
Juve nuk e la atë vetëm atëherë (kur e lejoi të stërvitej në Vinovo), dhe nuk do ta lërë vetëm as tani (siç raporton “Gazzetta dello Sport”). Njerëzit më të rëndësishëm dhe që gjithmonë e kanë dashur do të jenë gjithmonë pranë tij, pasi mësoi një nga leksionet më të ashpra dhe të bukura që jeta mund të të japë: “Ti mëson t’iu japësh rëndësi gjërave kur je një hap larg humbjes së tyre. Edhe për këtë arsye, jeta është një dhuratë e mrekullueshme”.