Duket se edhe trajneri portugez Ruben Amorim nuk po arrin t’i bëjë derman Manchester United, që dje pësoi një humbje turpëruese 0-3 në shtëpi ndaj Bournemouth. Kjo ka sjellë irritimin e tifozëve, që dolën kokëulur nga “Old Trafford”.
Mbrojtësi Lisandro Martinez përpiqet të bëjë një përmbledhje të situatës: “Në këtë lloj situate, duhet të tregojmë personalitet dhe karakter. Ne po luajmë shumë mirë dhe për fat të keq nuk mundëm të shënonim ndaj Bournemouth. Duhet të besojmë në punën tonë”.
“Dajtë e kuq” kanë zbritur në vendin e 13-të në Premier League. “Në këtë klub ne duhet të fitojmë çdo ndeshje dhe e dimë këtë. Jemi shumë të inatosur për këtë situatë. Unë besoj shumë te kjo skuadër dhe stafi”, shtoi mbrojtësi argjentinas.
“Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe duhet të ndryshojmë shpejt, pasi tifozët nuk presin. Ne e dimë se sa i madh është ky klub. Pritshmëritë janë shumë të mëdha, është një proces dhe mund ta shihni që ne po luajmë shumë mirë, por edhe pësojmë gola dhe duhet të punojmë për këtë”, shtoi Martinez.
Në lidhje me tifozët tha: “E di që tifozët janë të padurueshëm me ne. Ne jemi të vetmit që mund ta ndryshojmë situatën dhe ne duhet ta pranojmë atë. Ky është një proces. Nuk dua të drejtoj gishtin në asnjë lojtar të vetëm. Të fitojmë së bashku, të humbim së bashku. Është shumë presion, por na pëlqen. Unë besoj shumë te ky grup”.