Inzaghi, pasi mundi Comon: Treguam maturi, Lautaro do t’i rikthehet golit shpejt

24 Dhjetor 2024
8:35
Alfred Lleshi
back button

Interi, pavarësisht një performance jo të shkëlqyer, mposhti Comon me rezultatin 2-0, falë golave të Carlos Augusto dhe Marcus Thuram në pjesën e dytë. Kjo fitore i ngjiti zikaltërit në kuotën e 37 pikëve, tri pikë më pak se kryesuesja Atalanta, por me një ndeshje më pak. Pas ndeshjes, trajneri Simone Inzaghi u shpreh:

Pse nuk e mbyllët më herët ndeshjen?
Duhet t’i japim merita Comos, sepse tregoi personalitet. Në pjesën e dytë ndryshuam ritmin, ndërsa në të parën patëm vështirësi në ndërtimin e lojës. Kemi treguar pjekuri duke goditur në momentin e duhur.

Çfarë mendoni për Fabregas?
Po bën një punë të shkëlqyer. E ka nisur mirë duke fituar menjëherë Serie B dhe treguar një futboll cilësor.

Patët probleme në krahun e majtë në pjesën e parë…
Nuk kemi bërë mjaftueshëm nga ajo anë. Në pushim rregulluam disa detaje dhe krijuam më shumë rrezik nga ai krah.

Si i vlerësoni Thuram dhe Lautaro?
Lautaro nuk ka shënuar në 8 ndeshje, por duhet të vazhdojë të punojë kështu. Me siguri do të rikthehet te goli. Ai dhe Thuram bëjnë një punë të shkëlqyer. Natyrisht, ndonjëherë mund ta humbasin qartësinë. Lauti duhet të qëndrojë i qetë, sepse ka mbështetjen e të gjithëve.

Për Thuram, që tani është golashënuesi kryesor…
Ka punuar mirë, si e gjithë skuadra. Është përshtatur shpejt me parimet tona dhe po jep shumë. Duhet të vazhdojë në këtë mënyrë.

Frattesi dhe minutat e tij pas ardhjes së Zielinskit…
Sigurisht që e shoh ende pjesë të Interit. Si në çdo ekip të madh, ka konkurrencë. Të enjten, ai dhe Zielinski luajtën 90 minuta dhe bënë shkëlqyeshëm. Sot, Frattesi dhe Taremi dhanë gjithçka në ato pak minuta që kishin në dispozicion. Duhet t’i alternoj lojtarët për të mirën e skuadrës.

A po mendoni planifikimin fizik për shkak të kalendarit të ngjeshur?
Po përpiqemi t’i alternojmë lojtarët. Kemi disa probleme, si me De Vrij, që sot luajti, pavarësisht shqetësimeve. Objektivi është që të gjithë të jenë në formë për të pasur rotacione të mira.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit