Mbrojtësi anglez Harry Maguire pranon se puna e Ruben Amorim si trajner i Manchester United është shumë më e vështirë sepse ai është e kundërta e Erik ten Hag. Gjithsesi, mbrojtësi 31-vjeçar ka mbështetur trajnerin portugez në punën e tij. Amorim është mposhtur në 5 nga 10 ndeshjet që kur u emërua trajner.
Portugezi ka trashëguar një skuadër që Ten Hag e ndërtoi për të luajtur futboll kalimtar, kundërsulmues, duke i bërë ata shumë të papërshtatshëm për filozofinë e tij, e cila i vë theksin posedimit dhe vendosjes së një linje të lartë. “Çështja është me trajnerët dhe stilet e tyre të lojës, që nuk janë të ngjashme”, tha Maguire për Sky Sports.
“Amirim dhe Ten Hag janë totalisht e kundërta për sa i përket asaj që duan dhe çfarë kërkojnë. Pra, periudha e tranzicionit do të jetë e vështirë. Ne të gjithë kemi besim të madh te trajneri dhe stafi i tij stërvitor. Jam i sigurt se gjërat do të ndryshojnë. Ai e di saktësisht se çfarë duhet të bëjë për të rikthyer këtë klub”, shtoi Maguire.
Më tej, mbrojtësi komentoi: “Amorim ka hyrë dhe ka bërë gjithçka që duhet të bëjë. Ai është me të vërtetë kërkues, është një fitues ndaj jam i sigurt se do të jetë i mërzitur, pasi urren humbjet e ndeshjeve. Kjo është një situatë frustruese për të gjithë, pasi duam të fitojmë dhe t’i bëjmë tifozët tanë të lumtur”.
Maguire thase nuk ka pasur biseda për objektivat për shkak të pozicionit në të cilin gjenden. “Ne thjesht po bëjmë gjithçka që mundemi për t’u ngjitur në renditje. Nuk mund të vendosim një objektiv për momentin sepse nuk jemi aq afër sa duhet. Është vërtet zhgënjyese ajo që kemi bërë deri më tani. Të gjithë e dinë këtë”.







