Interi nuk ndalet, i përgjigjet Napolit dhe vazhdon garën për vendin e parë të Serie A, që tani është vetëm tri pikë larg, me një ndeshje për ta rikuperuar. Një nga protagonistët kryesorë të këtij momenti të shkëlqyer të zikaltërve është padyshim Simone Inzaghi.
Trajneri ka arritur ta mbajë skuadrën e tij të motivuar dhe të përqendruar, edhe pas humbjes në Superkupë. Fitorja e fundit kundër Empolit e ka çuar Inzaghin në statistika rekord, të cilat janë vënë në pah nga tifozët në rrjetet sociale dhe gjithashtu djali i tij, Tommaso.
Tommaso Inzaghi, djali i Simone, ka ndarë në llogarinë e tij në Instagram (me 109 mijë ndjekës) disa nga statistikat rekord të arritura nga babai i tij në stolin zikaltër. Konkretisht, Interi nuk ka pësuar humbje në 16 javët e fundit të kampionatit dhe ka shënuar 51 gola në vetëm 20 ndeshje.
Ky numër golash (në 20 ndeshje) ishte arritur më parë vetëm nga Juventusi i sezonit 1959-1960, Lazio e sezonit 2017-2018 dhe Interi i sezonit 2021-2022. Ajo që e bën këtë statistikë unike është fakti se dy nga këto skuadra të fundit janë drejtuar gjithashtu nga Simone Inzaghi, i cili shfaqet tri herë nga katër raste në këtë klasifikim të veçantë.
Këto shifra tregojnë jo vetëm vazhdimësinë dhe cilësinë e punës së tij, por edhe optimizmin për garën e titullit ndaj Napolit kryesues. Për Tommaso, djalin e tij, këto rezultate janë burim krenarie, teksa e ka shprehur hapur admirimin për babain, përmes rrjeteve sociale.







