Interi, për titullin duhet versioni më i mirë i Calhanoglu. Shifra të pamëshirshme krahasuar me sezonin e kaluar

5 Shkurt 2025
8:47
Alfred Lleshi
back button

E përditshmja “Gazzetta dello Sport” ka analizuar formën aktuale të Hakan Calhanoglu, një lojtar kyç për ekuilibrin e lojës së Interit, por që këtë sezon është përballur me një sërë problemesh fizike. Probleme që kanë ndikuar në paraqitjet e tij, përfshirë atë nën nivelin e pritshëm në derbin e fundit të së dielës.

Sot, Simone Inzaghi do të vendosë nëse do ta konfirmojë turkun si titullar për ndeshjen e prapambetur ndaj Fiorentinës, apo do të zgjedhë të ndajë minutat, duke e nisur me Asllanin në formacionin bazë.

Në përgjithësi, krahasimi mes këtij sezoni dhe atij të kaluar është i pamëshirshëm për Calhanoglu. Në sezonin 2024-25, mesfushori turk ka humbur tashmë 10 ndeshje për shkak të dëmtimeve, ndërsa në gjithë sezonin 2023-24 kishte munguar vetëm në tri raste.

Për më tepër, në këtë pikë të sezonit të kaluar, ai kishte luajtur të paktën 80 minuta në secilën prej 18 ndeshjeve, ndërsa këtë sezon e ka arritur këtë minutazh vetëm 7 herë. Me gjithsej 1437 minuta të luajtura, Calhanoglu është vetëm lojtari i 13-të më i përdorur në ekipin zikaltër. Statistikë që tregon qartë ndikimin e mungesave të tij.

Nëse Interi dëshiron të mbajë ritmin për të fituar titullin, rikthimi në formë i versionit më të mirë të Calhanoglu është i domosdoshëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit