Në letër, Interi kishte shumë avantazhe për këtë ndeshje, por ajo u shndërrua në një katastrofë. 73 minutat e mbetura nga ndeshja e nisur më 1 dhjetor u kthyen shpejt në një makth për skuadrën e Inzaghit. Përballë një Fiorentine të dobësuar, zikaltërit u shpërbënë në “Franchi” dhe pësuan një humbje të rëndë 3-0.
E megjithatë, Interi e nisi mirë rifillimin e ndeshjes, duke dominuar në territor gjatë 15 minutave të para. Gjithsesi, ky kontroll nuk solli shumë përveç një goli të anuluar të Carlos Augusto për pozicion jashtë loje. Pasi Fiorentina gjeti rrjetën për herë të parë, mbrojtja e Interit u shpërbë plotësisht. Në fund të ndeshjes nuk pati asnjë aspekt pozitiv për zikaltërit. Edhe edhe në vlerësimet individuale, vetëm dy lojtarë arritën të marrin notë kaluese.
Pas ndeshjes, Simone Inzaghi nuk kërkoi justifikime në konferencën për shtyp: “Paraqitja jonë ishte negative, Fiorentina fitoi me meritë. Të hënën kemi mundësinë të reagojmë në stadiumin tonë. Kjo humbje është e merituar dhe duhet të na bëjë të reflektojmë.
Do ta analizojmë disfatën, sepse sonte nuk ishim vetvetja. Kishim sinjale paralajmëruese që në pjesën e parë, por e dyta ishte edhe më keq. Në shtatë transfertat e fundit kishim pësuar vetëm një gol, ndërsa sot 3 gola në 73 minuta. Nuk ka asgjë për t’u shpëtuar nga kjo ndeshje, por jam i bindur se skuadra nuk do të ndalet te kjo humbje dhe do të reagojë”.







