Makthi me ndeshjet e prapambetura tek Interi… Firenze si Bologna më 2022, dështon sërish misioni për kreun

7 Shkurt 2025
10:48
Alfred Lleshi
back button

Interi u rrëzua në Firence në rikuperimin e ndeshjes së 14-të të Serie A, e shtyrë më 1 dhjetor për shkak të problemeve shëndetësore të Edoardo Bove gjatë lojës.

Një natë për t’u harruar për zikaltërit, të cilët u shkatërruan në pjesën e dytë nga Fiorentina. Goli i Ranierit dhe dygolëshi i të pandalshmit Kean vulosën një 3-0 që mund të ndryshojë rrjedhën e kampionatit.

Skuadra e Simone Inzaghit mbeti në kuotën e 51 pikëve, duke dështuar të barazohet me Napolin, që kryeson me 54 pikë. Kështu, për Interin, ndeshjet e rikuperimit vazhdojnë të jenë një mallkim, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Firence si Bologna?

Një precedent i mëparshëm shqetësues tregon se Interi ka pasur gjithmonë vështirësi me rikuperimet në kampionat. Nëse në Firence, Lautaro dhe shokët e tij dështuan të kapnin kreun, më 28 prill 2022 gjërat shkuan edhe më keq.

Interi u paraqit në “Dall’Ara” për të luajtur ndeshjen e shtyrë më 6 janar, për shkak të shpërthimit të Covid-19 në ekipin e Bologna. Pavarësisht avantazhit të shpejtë nga Perisic, Bologna bëri një përmbysje të pabesueshme me golat e Arnautovic dhe Sansone, ku ky i fundit përfitoi nga një gabim fatal i portierit Radu.

Rezultati përfundimtar 2-1 i hoqi Interit mundësinë për të marrë kreun ndaj Milanit të Piolit, që në fund të sezonit fitoi titullin e 19-të kampion. Ky precedent i frikëson tifozët zikaltër, të cilët shohin histori të përsëritura.

Ndeshja me Fiorentinën ishte rikuperimi i dytë sezonal për Interin. I pari ndodhi më 15 janar, kur ekipi i Inzaghit priti Bologna në “San Siro” për të rikuperuar duelin e shtyrë nga Superkupa e Italisë.

Edhe atëherë skenari ishte i njëjtë: Bologna kaloi në avantazh me Castron, më pas Interi reagoi me Dumfries dhe Lautaro Martinez. Por në 30 minutat e fundit, goli i Holm vulosi rezultatin 2-2. Një tjetër hap fals që, duke parë klasifikimin, mund të ndikojë shumë në garën për titull, e komplikuar edhe më shumë pas disfatës në Firence.

Nuk ndodhte prej 6 vitesh

Humbja në Firence, për më tepër, ndërpreu një seri pozitive që Interi kishte mbajtur për gati 6 vitesh. Sipas “Opta”, Interi nuk kishte humbur një ndeshje të Serie A me të paktën 3 gola diferencë që nga 19 maji 2019, kur skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti u mposht 4-1 nga Napoli në “Maradona”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit