“Feyenoordi, skuadër me histori dhe stadium i zjarrtë. Jemi gati të japim maksimumin”

22 Shkurt 2025
7:55
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, foli pas shortit që i vuri kampionët e Italisë përballë Feyenoordit: “Kthehemi të luajmë në Champions League kundër një skuadre me histori të madhe, që luan në një stadium me atmosferë të zjarrtë.

E dimë që do të jetë një sfidë e rëndësishme, jemi të gatshëm të japim maksimumin. Kemi punuar shumë për të arritur deri këtu dhe duam të vazhdojmë të bëjmë mirë. Objektivi është të kalojmë më tej dhe të ëndërrojmë në këtë kompeticion”.

UEFA pritet të zyrtarizojë datat e 1/8-ave, me ndeshjet që do të zhvillohen më 4/5 dhe 11/12 mars. Interi do ta luajë ndeshjen e kthimit në shtëpi, por fokusi është te sfida e parë.

Nëse Interi luan në Champions të martën (4 mars), atëherë ndeshja Inter-Napoli do të luhet të shtunën, më 1 mars, në orën 18:00. Nëse luan të mërkurën (5 mars), atëherë ka shumë mundësi që sfida për titull me Napolin të luhet të dielën, më 2 mars në orën 20:45.

Në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Genoa, Simone Inzaghi foli për mikrofonët e “Sky Sport”, duke e kthyer vëmendjen edhe te sfida e madhe e javës së ardhshme kundër Napolit në “Maradona”.

“Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, por të flasësh për një sfidë vendimtare është ende herët, pasi kanë mbetur edhe 12 javë deri në fund. Sigurisht që do të ketë shumë rëndësi për të dyja skuadrat, por nuk do ta reduktoja gjithçka në një duel mes trajnerësh. Do të jetë një përballje mes dy formacioneve që po bëjnë një sezon të shkëlqyer. Duhet pasur kujdes edhe nga Atalanta dhe skuadrat e tjera që, falë merkatos së janarit, po rikuperojnë terren”.

I pyetur për mundësinë e fitimit të një trofeu në fund të sezonit, trajneri zikaltër nuk jep premtime, por thekson ambiciet e grupit: “Kjo është ajo që shpresojmë. Ajo që mund të garantoj është se do të japim gjithçka, si gjithmonë, për të luftuar në çdo front. Na pëlqen të jemi protagonistë dhe do të vazhdojmë të luajmë në këtë mënyrë deri në fund”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit