Napoli-Inter / Inzaghi rigjen Thuram dhe synon formacionin ideal, por ka emergjencë në krahë

27 Shkurt 2025
9:18
Alfred Lleshi
back button

Koha e rotacionit ka kaluar. Pas fitores ndaj Lazios në Kupën e Italisë me një formacion me 9 titullarë të ndryshuar, Simone Inzaghi tani përgatitet për sfidën vendimtare të së shtunës ndaj Napolit, ku Interi synon të mbrojë ose të zgjerojë avantazhin në krye të Serie A.

Përveç Sommer, i cili mungon për arsye fizike dhe jo teknike (mund të rikthehet kundër Atalantës me një mbrojtëse speciale në dorë), trajneri zikaltër pritet të hedhë në fushë formacionin e tij më të fortë. Kjo do të thotë se ndaj Napolit do të luajnë: Martinez në portë, Pavard, Acerbi dhe Bastoni në mbrojtje, Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan dhe Dimarco në mesfushë, me Lautaro dhe Thuram në sulm.

Rikuperimi i sulmuesit francez është një lajm i madh për Inzaghin, pavarësisht paraqitjeve të mira të Arnautovic kohët e fundit. Dyshja Thuram-Lautaro është një nga më të mirat në Europë, ndaj prania e tyre në fushë do të ushtrojë presion të madh mbi mbrojtjen e Napolit.

Problemet për Interin, megjithatë, vijnë nga krahët. Carlos Augusto mbetet në dyshim, Zalewski është jashtë dhe Darmian u detyrua të dalë nga loja kundër Lazios. Nëse Inzaghi do të detyrohet të bëjë ndryshime gjatë ndeshjes, alternativa në krahë janë të pakta. Gjithsesi, fleksibiliteti i Bastonit dhe Pavardit mund ta ndihmojë trajnerin në këtë situatë.

Në Kupën e Italisë, për shkak të dëmtimeve, Interi madje eksperimentoi me një 4-4-2, një sistem që sipas Inzaghit është përdorur vetëm dy herë në 200 ndeshje. Megjithatë, një skemë e tillë duket e vështirë për t’u parë në “Maradona”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit