Inzaghi para “finales” ndaj Napolit: Në përballjet direkte nuk kemi bërë mirë, mund ta ndryshoj skemën

1 Mars 2025
7:03
Alfred Lleshi
back button

Simone Inzaghi u shfaq në sallën e konferencave për shtyp me kostum e kravatë dhe kërkoi perfeksionin ndaj Napolit, në “Maradona”: “Duhet të jemi perfektë, kjo është e vërteta. Në përballjet e fundit direkte nuk kemi qenë të tillë. Nuk po ndjekim të njëjtën linjë si sezonin e kaluar, duhet të përmirësohemi”. Objektivi është fitorja në transfertën ndaj Napolit, triumfi ndaj Contes dhe fluturimi më lart…

Inzaghi predikon qetësi dhe lavdëron Napolin, mbron Lautaron në çështjen e blasfemisë, pas ndeshjes ndaj Juventusit, dhe flet për një sfidë delikate, të fortë, por jo vendimtare: “Janë ende 36 pikë në lojë, kjo ndeshje ka një ndikim psikologjik. Ne duhet të dalim prej saj në mënyrën më të mirë dhe të bëjmë një hap përpara për t’u rritur më tej”.

Napoli-Inter filloi në sallën e shtypit në “Appiano”. I pyetur për përplasjen mediatike me trajnerin e Napolit, Inzaghi u përgjigj kështu: “Një tjetër trofe i bukur është se kemi ndihmuar klubin tonë. Tri vite e gjysmë më parë, kur erdha këtu, më thanë se cila ishte situata. Tani bilanci është përmirësuar dhe jam i lumtur për këtë”.

Në “Maradona” nuk do të jenë Carlos Augusto, Darmian, Zalewski dhe Sommer. Thuram është rikuperuar dhe pritet ta nisë nga fillimi, edhe pse Inzaghi ende nuk ka vendosur përfundimisht. “Kam provuar Correa dhe Frattesi si anësorë, po ashtu edhe Bisseck dhe Pavard. Nuk kam asnjë lojtar krahu në stol, nuk më ka ndodhur kurrë më parë.”

Nga këtu vjen edhe mundësia për një ndryshim skeme: “Po e vlerësoj, është e vërtetë, do të shohim çfarë do të thotë ndeshja. Kam provuar Thuram si titullar, por ende kam një dyshim. Jam krenar për këtë grup”.

I njëjti Inzaghi si gjithmonë: “Kam qenë kështu për 440 ndeshje, edhe pse kohët e fundit më mbajnë në vëzhgim për 94 minuta me kamerën drejtuar nga unë. Djemtë janë të mrekullueshëm. Unë dhe stafi im përpiqemi t’i ndihmojmë në mënyrën më të mirë. Martinez, për shembull, po tregon çdo ditë se është një portier i denjë për Interin. Jam i lumtur për të”.

Inzaghi foli edhe për rastin e Lautaros: “Të gjithë e njohim, po punojmë së bashku për gati 4 vite dhe nuk e kam dëgjuar kurrë të thotë diçka jashtë vendit. Ecim përpara dhe e lëmë pas këtë histori. Kam dëgjuar shumë për këtë çështje, por ai është i përqendruar dhe po punon siç di. E vetmja gjë që më shqetëson janë mungesat. Do të na duhet të përshtatemi, por e dimë si ta bëjmë. Përballemi me një kundërshtar me vlera, në majat e futbollit prej kohësh. Conte është një trajner i shkëlqyer, ndaj duhet të bëjmë më të mirën për ta konsoliduar avantazhin tonë. Edhe Juventusi mund të rikthehet në garën për titull”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit