Sulmuesi i Interit, Marcus Thuram, dha një intervistë për DAZN, në të cilën foli edhe për ndeshjen kundër Juventusit, ku u përball me vëllain e tij, Khephren: “Të luaja kundër vëllait tim më të vogël ishte një moment i veçantë. M’u duk e çuditshme, sepse kemi ndarë shumë seanca stërvitore bashkë që në fëmijëri. Ishte një moment i bukur”.
Çfarë ju la si mësim humbja ndaj Juventusit?
Humbëm një mundësi të madhe për të marrë tri pikë kundër një kundërshtari që e njohim mirë. Donim të fitonim, por nuk ia dolëm.
A të ka surprizuar bashkatdhetari yt, Kolo Muani?
Jo, Randal është një lojtar shumë i fortë. E kemi parë që tek Eintracht Frankfurt dhe i dimë cilësitë e tij. Te PSG pati disa vështirësi me trajnerin, por kjo nuk ndryshon asgjë. Edhe me kombëtaren bën gjëra të shkëlqyera. Ajo që po bën te Juventusi është thjesht ajo që di të bëjë më mirë.
Ndeshja kundër Napolit, a do të jetë vendimtare?
Nuk e di, sepse ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur, por është një përballje direkte mes të parit dhe të dytit në renditje. Do të jetë shumë e rëndësishme.
Ke barazuar rekordin tënd të golave, a synon të arrish 20?
Shpresoj. Siç them gjithmonë, më e rëndësishme është që Interi të fitojë, por nëse mund ta ndihmoj ekipin me gola, aq më mirë.
Çfarë do të thoshte Lautaro?
Duhet ta pyesni atë, por besoj se do të ishte shumë i lumtur për mua.
Pas këtyre përmirësimeve, a ndihesh ndryshe si lojtar?
Nuk ndihem si një lojtar ndryshe, po përpiqem të bëj të njëjtën gjë që bëra sezonin e kaluar, kur fituam titullin. Trajneri, shokët e skuadrës dhe klubi më ndihmojnë të rritem çdo ditë.
Cili ka qenë goli më emocionues për ty?
Ai kundër Milanit në ndeshjen e kthimit, sezonin e kaluar.
A e ke gjithmonë në mendje titullin?
Po, është një mendim që më shoqëron, në kuptimin që më motivon të punoj dhe të fitoj ndeshje. Dua ta përjetoj sërish me Interin.







