Harry Kane nuk bën lojëra. Sulmuesi i Bayern, i transferuar për 100 mln euro nga Tottenham, ka një mallkim për të hequr dhe bëhet fjalë për të fituar një trofe madhor.
Ai nuk “ngopet” me titullin kampion të Bundesligës. Kërkon Champions League si kurorëzimi i karrierës së tij fantastike ndër vite si golashënues i dalluar.
Ndeshja me Bayer Leverkusen në Champions League na tregoi një Harry Kane tjetër. Ai përshkoi thuajse gjysmën e fushës me shpejtësi vetëm për një duel direkt me Granit Xhakën.
Jo vetëm që e fitoi duelin, por pati një betejë verbale me mesfushorin shqiptar. “Kjo është gjë e pazakontë për të. Ai kurrë nuk ka qenë lojtar që përzihet duke folur ashpër apo duke humbur nervat”, tha pas ndeshjes korrespondenti i Gjermanisë për “The Athletic”, Seb Stafford-Bloor.
Gazetari e njeh Kane që kur ky i fundit luante me skuadrat e të rinjve në Angli, kështu që duhet t’i besojmë. Harry Kane ka ndryshuar. E ka më seriozisht se kurrë. Ai do trofe. Pikë.







