Real Madridi i 14 Ligave të Kampionëve të fituar deri më tani do të përballet sonte me një finale tjetër të këtij kompeticioni, nën një apoteozë emocionale të parë rrallë gjatë historisë së tij. 10 vite pas “Décima”, skuadra e bardhë është një hap larg nga ngritja e Champions-it të 15-të, duke thyer të gjitha rekordet, duke sfiduar të gjithë logjikën e futbollit, duke përmbushur të gjitha ëndrrat e tifozëve madrilenë që, si lojtarët e tyre, nuk lodhen kurrë së fituari.
“Wembley”, një territor për t’u pushtuar, mund të jetë dëshmitar i kurorëzimit të një ekipi legjendar, në të cilin katër lojtarë të tij marrin një rol të veçantë sonte. Kroos, Modric, Nacho dhe Carvajal mund të ngrenë Kupën e tyre të gjashtë Evropiane (Champions) në Londër, duke u ngjitur atje ku vetëm Don Francisco Gento kishte arritur, në majë.
6 Ligat e Kampionëve në 10 vite të këtyre futbollistëve flasin për madhështinë e një skuadre që e ka bërë rrugën e saj të jetesës fitimin e këtij kompeticioni. Duke parë arritjet e skuadrës së bardhë mund të duket e lehtë. Duke parë City, PSG-në, Bayern Munich apo Barçën, është e qartë se nuk është kurrsesi e lehtë për të triumfuar në këtë kompeticion. Dhe Ancelotti është përgjegjës për ta përsëritur triumfin sërish.
Mesazhi i trajnerit italian për lojtarët e tij në qendër të fushës së “Wembley” ishte pikërisht në këtë kuptim, për rëndësinë e shijimit të çdo sekonde të finales, për komoditetin e ndjenjës së frikës për të arritur suksesin: “Si mund të mos kemi frikë nga disfata, nëse jemi aq afër fitimit të Ligës së Kampionëve”.
Mesazhi i Carlo-s ishte një mësim jete, duke shkatërruar shumë mite për mënyrën se si duhet luajtur një finale e Ligës së Kampionëve. Pra, edhe ekipet legjendare kanë frikë… Rrallëherë Real Madridi ka shkuar në një finale të Champions-it si favorit i tillë, por nuk ka asnjë shenjë relaksi në ekipin e bardhë para përballjes me verdhezinjtë e Bundesligës.
Nëse Real Madridi shmang fjalën “favorit”, Borussia Dortmund vrapon të përqafojë termin “mrekulli”. Verdhezinjtë ndihen rehat në rolin e “Hirushes”, rol që i ka shoqëruar gjatë gjithë këtij edicioni të Champions League. Nga faza e grupeve deri në finalen e mbrëmjes së sotme, në asnjë ndeshje, nga 12 të tilla, nuk janë konsideruar favoritë.
Por lista e rivalëve që i kanë hequr qafe deri në “Wembley” nuk është e parëndësishme. Newcastle, Milan, PSG (dy herë), PSV dhe Atlético Madridii janë nënshtruar skuadrës verdhezi, me më pak buxhet se të gjithë, por me zemrën e një tifozi verdhezi që është vërtet e frikshme.
Në “Wembley do të ketë 25.000 tifozë verdhezinj, nëpër tribuna, po aq Real Madridi, ndërsa rreth 40.000 verdhezinj do të jenë rreth stadiumit, që do të brohorasin një ekip në kërkim të mrekullisë. Nëse Real Madridi nuk ka luajtur kurrë një finale në tempullin e futbollit anglez, Borussia Dortmundi e humbi të fundit që luajti aty, në minutën e fundit.
Ndodhi 11 vite më parë, në prag të “Décima” së Real Madridit, në sezonin e parë të Marco Reus si lojtar i verdhezinjve. Një futbollist që ashtu si Kroos e mbyll sonte karrierën me Borussia Dortmundin në skenën më të mirë të mundshme.
Gjermani i Real Madridit, ashtu si ditën e lamtumirës në “Bernabeu”, ishte i fundit që u largua nga fusha pas stërvitjes, duke përjetuar orët e tij të fundit si galaktik. Ai dëshiron t’i dhurojë një natë të fundit lavdie futbollit dhe vetes, duke e drejtuar sërish skuadrën e bardhë në këtë finale të madhe.