Inzaghi, britmë titulli: Flitet shumë për ne, por me këtë shpirt… Goli i Lautaros ishte i rregullt

17 Mars 2025
8:19
Alfred Lleshi
back button

“Si trajner jam shumë i kënaqur, pavarësisht rezultatit, veçanërisht me paraqitjen”, Pas fitores në Bergamo, që e afron edhe më shumë me titullin, Simone Inzaghi shfaqet i lumtur dhe nuk ngurron të japë disa mesazhe:

“Bëmë një ndeshje të madhe, edhe pse javët e fundit kemi marrë shumë kritika. Flitet shumë për faktin që mund të mos fitojmë asgjë, por ne nuk dëgjojmë. Erdhëm në Bergamo me personalitet të madh dhe fituam me meritë”.

“Do të mund ta kishim mbyllur edhe më herët ndeshjen, – shtoi tekniku zikaltër për “Sky Sport”. – E shikova përsëri golin e Lautaros dhe për mua ishte i rregullt”.

Më tej, për ndeshjen: “Bëmë një paraqitje të madhe, Atalanta është një skuadër e fortë, por ne i dhamë shumë pak hapësira. Ishim në fund të një cikli ndeshjesh të pafundme, kisha 6 ose 7 lojtarë që po kurohen, por jam shumë i kënaqur. Nuk mund të kërkoj më shumë nga djemtë. Me këtë shpirt mund të arrijmë gjëra të rëndësishme”.

Për titullin: “Ende nuk kemi bërë asgjë, por komplimentoj djemtë. Objektivi? Të luajmë sa më shumë ndeshje të mundshme. Dëgjoj shumë debate se Interi nuk mund të fitojë asgjë, por ky është sporti. Jemi të lumtur që luajmë kaq shumë, tani vjen pushimi dhe më pas do të rifillojmë. Nuk mund të shohim pas, fituam me meritë ndaj Atalantës dhe duhet të vazhdojmë kështu”.

Në fund, për gjendjen e Dumfries: “Pati një shqetësim muskulor, duhet të vlerësohet. Ai dukej i qetë dhe më tha ‘prit një moment’, por nuk e kuptoi që tashmë e kisha zëvendësuar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit