Zv.presidenti i Interit, Javier Zanetti, foli për momentin aktual të futbollit dhe rolin e tij në klub: “Futbolli ka ndryshuar, po ashtu edhe menaxhimi i një klubi. Nëse nga njëra anë kanë evoluar vizionet mbi këtë sport, e vetmja gjë që nuk mund dhe nuk duhet të ndryshojë janë vlerat e një klubi. Kjo është thelbësore. Nuk kam dashur dhe nuk dua të jem thjesht një drejtues i lidhur me pjesën sportive, por burim frymëzimi për gjithë klubin”.
Zanetti kujtoi një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij: “Vuajta, kur e pashë Leo Messin si kundërshtar. Ende i kujtoj ato dy gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës. Jose Mourinho pati idenë gjeniale të më vendoste si mbrojtës të majtë për ta markuar atë. Me shaka i thashë: Faleminderit trajner, më dhe një detyrë të lehtë! Sidoqoftë, në fund gjithçka shkoi mirë. Në atë ekip, përpara se të ishim kampionë të mëdhenj, ishim burra të mëdhenj. Ia dolëm të fitonim gjithçka falë bashkëpunimit të çdo lojtari dhe e treguam këtë në çdo fushë.
Mbetëm me 10 lojtarë në ‘Camp Nou’ (pas daljes me të kuq të Thiago Motta), kundër asaj që ishte skuadra më e mirë në atë moment. Pikërisht aty u pa shpirti i vërtetë i ekipit dhe uniteti i grupit, i cili donte me çdo kusht të arrinte në finale dhe të fitonte Champions League”.
Duke folur për teknikun portugez, Zanetti nuk i kurseu elozhet: “Mourinho është një lider i madh. Erdhi në momentin e duhur për ne, sepse dinte si ta bindte ekipin që të fitonte edhe në Europë. Akoma kemi një grup mesazhesh nga tripleta dhe vazhdojmë të shkruajmë me njëri-tjetrin”.







